Albtelecom Logo

Harta | English

19.06.2013 - Wednesday

Albtelecom Search OK Button
 
Njoftim për Mediat
Lajmërime kryesore
Shkrime mbi Kompaninë
Përgjegjësia Sociale
  Të lutem zgjidh:
Planet e gjenerates se re ALBtelecom & Eagle  
ALBtelecom rrit 8 herë kapacitetin e fibrës optike me Italinë  
“Jemi rritur 30 herë në 2009-n”  
 
Print 6/30/2009

Flet drejtori i ALBtelecom, Mustafa Resit Akdogan. Si pritet të përballojë konkurrencën kompania më e madhe e telefonisë fikse në një treg krejtësisht të liberalizuar.

Kompania turke Çalik, e cila vitin e kaluar bleu shoqërinë e telefonisë fikse ALBtelecom po hyn në treg në një moment të vështirë. Tregu i telefonisë fikse është tashmë i liberalizuar, pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 9918, datë 19.05.2008, “Për komunikimet elektronike të Republikës së Shqipërisë”, që i ka “hequr”, ALBtelecom ekskluzivitetin e shërbimit të telefonisë fikse. Cilat janë planet e ALBtelecom për të konkurruar në treg? Çfarë do të sjellë për konsumatorët ndryshimi i menaxhimit të ALBtelecom? Këtyre pyetjeve u jep përgjigje në një intervistë ekskluzive për “Monitor”, Drejtori i Albteleciom, Mustafa Resit Akdogan. 

 

Si vlerësoni rezultatet financiare të ALBtelecom gjatë vitit 2007 dhe pjesës së parë të vitit 2008? (Cilat janë shifrat konkrete të të ardhurave dhe fitimit). Cilat janë objektivat tuaj komercialë afatshkurtër dhe afatgjatë? Sa janë investimet e pritshme në afatin e shkurtër dhe të gjatë?

Ashtu siç edhe ju e dini, gjatë proceseve të privatizimit të firmave, zakonisht vihet re një rënie e të ardhurave dhe fitimeve të firmave që kalojnë në këtë proces. Parë në këtë kornizë, në aspektin financiar viti 2007 nuk ka qenë një vit me performancën e dëshiruar dhe kërkuar për ALBtelecom. Megjithatë mund të thuhet se në gjysmë e parë të vitit 2008, janë arritur objektivat e dëshiruara. Objektivi ynë afatshkurtër është që përmes një infrastrukture teknike, të ofrojmë një shërbim telekomunikacioni të shpejtë, cilësor, pa ndërprerje dhe ekonomik për të gjithë qytetarët dhe institucionet shqiptare. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë synojmë krijimin e rrjetit të shërbimeve të integruara të botës dhe veçanërisht Evropës dhe bazuar mbi këtë rrjet të ofrojmë shërbime shumë herë më të mira dhe që i përgjigjen nevojave për komunikim të çdo individi apo institucioneve.

 

Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë do të ndryshojë më tej për klientët tuaj tani që ALBtelecom është privatizuar, në drejtim të çmimeve dhe cilësisë e shumëllojshmërisë së shërbimeve?

Pas privatizimit ALBtelecom-it, janë realizuar investimet e duhura në infrastrukturën e telefonisë fikse dhe shërbimit të internetit. Në këtë kuptim është duke vazhduar puna në infrastrukturën e rrjetit të shpërndarjes dhe atë të transmetimit. Për të rritur kualitetin e shërbimit janë instaluar programet automatike të identifikimit dhe ndreqjes së defekteve, shërbimi ndaj klientëve, si dhe ka nisur puna për Qendrën e Shërbimit ndaj Klientit. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe është bërë e mundur ulja e tarifave për shërbimin e internetit deri në 80 për qind dhe rreth 35 për qind ulje për tarifat e thirrjeve të telefonisë fikse. Në mënyrë të veçantë kemi ulur në një përqindje shumë të madhe çmimet për klientët tanë për thirrjet brenda rrjetit si dhe në drejtim të operatorëve të tjerë celularë. Për shembull, kemi ulur nga 52 deri në 71 për qind çmimet për tarifën e instalimit të internetit, 60 deri në 62 për qind tarifat për shërbimin e ADSL-së pa limit dhe 80 për qind tarifat për shërbimin e ADSL-së profesionale. Për sa i përket shumëllojshmërisë së shërbimeve, aktualisht kemi ofruar zgjidhje të veçanta përmes paketave për të gjithë klientët tanë individualë apo institucionalë. Ndërkohë shumë shpejt do të dalim dhe me shërbime të reja në treg siç janë projekti WI-FI i shërbimit të internetit pa kabëll, telefonat me kartën Smart, projekti KIOSK si dhe projekti i ofrimit të shërbimit on-line për shërbimet administrative.

 

Sa është dhe sa është planifikuar të shkojë penetrimi i telefonisë fikse nga ana e ALBtelecom për 2008 dhe në të ardhmen?

Aktualisht niveli i penetrimit në tregun e telefonisë fikse arrin në rreth 60 për qind. Kemi planifikuar që kjo përqindje të arrijë në 75 për qind në fund të vitit 2008 dhe 100 për qind në mes të vitit 2009. Për arritjen e këtyre objektivave kanë përfunduar projektet e planifikimit të investimeve dhe procedurat e tenderimit. Pas marrjes së lejes nga autoritetet vendore dhe ato qendrore, do të përfundojnë në një kohën sa më të shkurtër punimet për shtrirjen e mëtejshme të rrjetit.

 

Si mendoni ta përballoni konkurrencën me liberalizimin e tregut si pasojë e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”?

Së pari shpresoj se ligji i ri për “Komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të jetë një hap pozitiv për të gjithë operatorët si dhe të shërbejë në zhvillimin e tregut të telekomunikacionit në Shqipëri. Mendoj se është herët për të folur për ndikimit që do të ketë ky ligj në tregun telekomunikacionit. Nga ana tjetër më duhet të shtoj se në implementimin ë këtij ligji një rol të rëndësishëm ka Enti Rregullator i Telekomunikacioneve dhe Autoriteti i Konkurrencës. Besojmë se këto dy autoritete do të veprojnë në mënyrën më të drejtë dhe do të mundësojnë kushte të barabarta për të gjithë operatorët, në mënyrë që të rregullojë dhe kontrollojë tregun, çka do të ketë një ndikim pozitiv jo vetëm për operatorët, por dhe për qytetarët shqiptarë.

 

Cila është strategjia juaj për rritjen e penetrimit të internetit? Sa konkurrentë do të jeni në ofrimin e shërbimit ADSL?

Për të rritur numrin e klientëve që marrin shërbimin e internetit nga ne, po ndjekim dhe do të ndjekim një strategji të qartë dhe agresive. Fakti që ne ofrojmë shërbimin me cilësinë më të mirë dhe me çmimin më të ulët, në të gjithë vendin, na bën ne lider në shërbimin e internetit, çka përbën dhe pjesën kryesore të strategjisë sonë. Mund të themi pa frikë se jemi operatori që operon më teknologjinë, çmimin dhe cilësinë më të mirë në Shqipëri. Rritja e konkurrencës në shërbimin e internetit përmes ADSL, rritja e cilësisë dhe aplikimi i çmimeve të leverdishme, besoj se është pozitive për përdoruesit e internetit. Ndërkohë, përveç rritjes së cilësisë, klientët tanë dhe ato që do të jenë pjesë e familjes sonë në të ardhmen, do të kenë të tjera surpriza në të ardhmen. Klientët tanë do të mund të përfitojnë nga të tjera produkte dhe shërbime cilësore më vlerë përmes shërbimit të internetit me ADSL, për të cilat do të jenë shumë të kënaqur.

 

Shumë operatorë alternativë ankohen se ALBtelecom i pengon në firmosjen e marrëveshjeve të interkoneksionit, pasi është në rolin e Organizmit me fuqi të ndjeshme në treg. Cila është politika e ALBtelecom në lidhje me konkurrencën me këta operatorë dhe si i rregullon marrëdhëniet me ta?

Ne ruajmë një pozicion të baraslarguar në raport me të gjithë operatorët e tjerë, duke qenë të baraslarguar dhe baras afruar me të gjithë. Ne në mënyrë të prerë kërkojmë që konkurrenca në treg të jetë e lirë, e drejtë dhe e barabartë, e cila të ketë pasqyrimin e saj dhe tek klientët. Duke u nisur me idenë se do të bëjmë konkurrencë, ne nuk mund të lejojmë, dhe nuk do të lejojmë, ashtu sikundër ka ndodhur në të shkuarën, që disa operatorë të shkelin ligjet dhe rregullat e vendosura nga shtetit shqiptar, duke kryer trafik thirrjesh të paligjshme në dëm të interesave të shtetit shqiptar dhe klientëve. Dua të siguroj se bazuar në të gjitha ligjet dhe rregullat, ne si ALBtelecom nuk do të lejojmë këtë lloj trafiku si dhe do të kërkojmë të drejtën tonë deri në fund. Fatkeqësisht një pjesë e operatorëve zgjedhin ende këtë rrugë dhe tërheqin vëmendjen në një tjetër drejtim përmes mesazheve të gabuara dhe të pahijshme në lidhje me ne. Ne jemi në dijeni të këtij realiteti dhe kemi kryer të gjitha rrugët ligjore.

 

Si e vlerëson ALBtelecom vendimin e fundit të Qeverisë për rregullimin e tregut të shumicës dhe pakicës për ALBtelecom?

Së pari uroj dhe shpresoj që klientët tanë të jenë të kënaqur dhe të përfitojnë nga aplikimi i tarifave të reja të telefonisë fikse, tarifa këto të bazuar në metodologjinë e re të përcaktimit të tarifave. Në të vërtetë, metodologjia e re për çmimet, ka vendosur në një pozicion pak të vështirë operatorët aktivë në treg. Përcaktimi i tarifave të reja nxori në pah domosdoshmërinë që ne të jemi më agresivë në objektivat dhe qëllimet tona. Në këtë çështje ne kemi strategji të provuara dhe shumë të suksesshme. Duke mos toleruar në strategjinë tonë për shërbimin dhe cilësinë, do të vazhdojmë punën me seriozitet dhe me të njëjtin sukses.

 

Në kuadrin e miratimit të Ligjit të ri si e shikon pozicionin e AKEP si organ i rregullimit të tregut të komunikimeve elektronike?

Marrëdhëniet tona me autoritetin e konkurrencës kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë në drejtimin e duhur, duke pasur parasysh frymën dhe rolin e AKEP-së si rregullator në sektorin në të cilin ne operojmë, sektorin e telekomunikacioneve. Në këtë drejtim herë pas herë kemi pasur takime dhe kontakte me Kryetarin e AKEP, zotin Ilir Shehu. Në të vërtetë puna e këtij institucioni është serioze dhe e vështirë. Besojmë se AKEP, se pas çdo ligji të ri apo publikimit të metodologjisë së çmimeve, do të ndërmarrë nismat e nevojshme që do të shërbejnë në zhvillimin e një tregu të ekuilibruar, të ndershëm dhe të shëndetshëm si dhe do të publikojë menjëherë nismat e ndërmarra.

 

Revista “MONITOR”

Fillimi | Harta | Kërkim | English Albtelecom Copyright 2009