Albtelecom Logo

Harta | English

20.05.2013 - Monday

Albtelecom Search OK Button
 
Njoftim për Mediat
Lajmërime kryesore
Shkrime mbi Kompaninë
Përgjegjësia Sociale
  Të lutem zgjidh:
Planet e gjenerates se re ALBtelecom & Eagle  
ALBtelecom rrit 8 herë kapacitetin e fibrës optike me Italinë  
“Jemi rritur 30 herë në 2009-n”  
 
Print 6/30/2009

Presidenti i Çalik Holding, Ahmet Çalik, tregon planet e reja për Shqipërinë “Të interesuar për sektorët e ndërtimit dhe energjetikës”

Pavarësisht krizës ekonomike, grupi "Çalik" do të rrisë investimet në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën, Presidenti i "Çalik Grup", Ahmet Çalik, tregon planet e reja të investimeve. Si një nga aktorët më të mëdhenj në sektorët e energjetikës, ndërtimit, tekstilit në Turqi, Ahmet Çalik thekson se "Grupi Çalik", përveç investimeve në sektorët e telekomunikacionit, po sheh mundësitë dhe për investime në sektorë të tjerë. "Me përvojën tonë në fushën e ndërtimit dhe energjetikes, po ndjekim mundësitë për t'i ofruar Shqipërisë një zhvillim me vlerë". Sipas tij, investimet e "Grupit Çalik" në sektorin e telekomunikacionit dhe sistemit bankar po ecin mirë dhe, Çalik premton të tjera investime në këto sektorë. "Grupi Çalik" ka paketën kontrolluese me 76% të Albtelekom, kompaninë "Eagle Mobile" dhe 60 për qind të aksioneve të Bankës Kombëtare Tregtare.

Kriza ekonomike botërore ka bërë që investitorët të rishikojnë planet dhe projektet e reja. Grupi juaj ka investuar në sektorë strategjikë në Shqipëri. Parë në këtë këndvështrim, sa do të ndikojë kriza ekonomike në investimet e "Çalik Holding" në Shqipëri?

Po ndjekim nga afër dhe në mënyrë të detajuar krizën ekonomike globale dhe pasojat e pritshme, si ngadalësimet dhe stanjacionin ekonomik. Por një nga veçoritë kryesore dhe më të rëndësishme të grupit tonë, krahas investimeve, është dhe mbulimi i riskut. Si pasojë e kësaj, ne kemi marrë masat për përballimin e krizës ekonomike botërore. Investimet që "Çalik Grup" ka kryer në Shqipëri janë të një rëndësie të veçantë dhe strategjike. Shqipëria për ne është një vend i veçantë dhe ky vend kaq i bukur duhet parë si një portë shprese, e cila do t'i ofrojë mundësi të reja dhe vlera Evropës. Ne si grup, i kushtojmë një rëndësi të veçantë sektorit të financës e telekomunikacionit dhe për këtë do të vazhdojmë investimet në këto dy sektorë të rëndësishëm. Nuk ka asnjë arsye që të mendohet se do të kemi shtyrje të planeve investuese në këto dy sektorë. Ne e konsiderojmë si të rëndësishme dhe jemi të përqendruar në investimet teknologjike dhe burimet njerëzore në këto dy sektorë, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi të marrin një shërbim më cilësor.

Parë në një perspektivë më të gjerë, cili është ndikimi i krizës në investimet e huaja në Shqipëri. Sipas jush, cilat janë hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria shqiptare?

Së pari, është mjedisi që krijohet për investitorët e huaj. Nëse shohim dhe analizojmë se cilat janë parametrat që krijojnë kushtet për investimet dhe investitorët e huaj, do të shohim bëhet fjalë për legjislacionin, situata ekonomike, shmangia e procedurave burokratike dhe paralel me këto stabiliteti ekonomik dhe politik. E thënë në mënyrë të përmbledhur, rezultati dhe implementimi i këtyre kritereve, parë në këndvështrimin e një investitori, këto janë kushte bazë që shmangin risqet e paparashikuar. Sa më i parashikueshme të jetë rreziku në këto elementë, aq më i përshtatshëm për investitorin është mjedisi në atë vend. Shqipëria ka bërë hapa dhe vazhdon të bëjë hapa para në përmirësimin e mjedisit dhe klimës për investitorët gjatë viteve të fundit. Këto përmirësime, me kalimin e kohës do të japin akoma më shumë frytet e suksesit. Që investimet e huaja të jenë të thjeshta për t'u realizuar dhe që të tërhiqen sa më shumë investime të huaja, të gjitha institucionet duhet të punojnë në mënyrë të koordinuar. Në këtë mënyrë edhe reformat e ndërmarra japin rezultatet e pritshme. Aplikimi i praktikave të ndryshme ose moskoordinimi i institucioneve në raport me kërkesat e investitorëve, i shtyjnë këta të fundit drejt një zinxhiri të pazgjidhshëm burokratik. Ekonomitë në të gjithë botën mundësojnë dinamizmin dhe rritjen e ekonomisë bazuar në tre lloje shpenzimesh; Konsumin e përditshëm, shpenzimet e investitorëve privatë dhe shpenzimet qeveritare ose investimet publike. Me ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe paqartësitë ekonomike në shumë prej vendeve të botës, është ulur konsumi dhe shpenzimet që bëjnë investitorët privatë. Në një situatë të tillë, e vetmja forcë shtytëse që mbetet janë rritja e shpenzimeve qeveritare ose investimet publik dhe në këtë mënyrë qeveritë po mundohen të gjejnë rrugë për t'i rikthyer gjallërinë ekonomive të tyre. Duke i drejtuar investimet qeveritare në mënyrë të saktë, (fushat e duhura) mundëson një gjallërim të ekonomisë dhe realizon shërbime të rëndësishme për shtetasit. Në këtë kontekst, që shërbimet e ofruara të jenë më të shpejta dhe me një cilësi të lartë për shtetasit shqiptarë, ne i japim shumë rëndësi projekteve që mundësojnë modernizimin e administratës, institucioneve shtetëror, u japim rëndësi projekteve që i përgatisin fëmijët dhe rininë tonë për epokën e njohurive. Këto investime janë pikërisht investimet që do të ndërtojnë të ardhmen e Shqipërisë.

Cili është parashikimi juaj, a do të ndikohet BKT si pjesë e grupit tuaj dhe njëkohësisht banka e dytë në Shqipëri, nga kriza?

BKT është banka e parë tregtare e Shqipërisë, me një historik që i ka rrënjët që nga vitet 1920. Historiku dhe cilësia e jashtëzakonshme e shërbimit të BKT-së, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë saj, kanë krijuar një klientelë shumë të fortë. Gjithashtu BKT-ja aktivitetet në vite i ka kryer në kuadër të politikave të ndjeshme ndaj riskut. Në sajë të këtyre politikave, BKT është sot një nga bankat me likuiditet më të lartë në Shqipëri. Kriza e shkaktuar nga institucionet financiare në vendet e zhvilluara, përgjithësisht ka ndikuar edhe vendet e tjera, duke ulur ndjeshëm ose ndërprerë burimet e financimit nga këto vende të zhvilluara. Por BKT nuk ka përdorur burime të huaja për financimin e aktivitetit, duke përdorur totalisht burime vendase për këtë qëllim. Prandaj duke qenë se të gjitha burimet e BKT-së përbëhen nga depozitat vendase, nuk mund të bëhet fjalë që kriza financiare jashtë të ndikojë BKT-në në lidhje me burimet e financimit. Po të shqyrtojmë strukturën e aktiveve të Bankës, mund të vërejmë se ajo përbëhet 31% nga depozita ndërbankare dhe asete likuide dhe 35% nga bono thesari dhe obligacione qeveritare (referuar të dhënave të nëntorit 2008). Duke u bazuar në faktin se kreditë zënë vetëm 32% të aktiveve dhe se ato jepen sipas parimeve të sigurisë dhe likuiditetit, si dhe në sajë të përvetësimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, edhe rreziku i kredive të BKT-së gjendet në një nivel të administrueshëm në krahasim me sektorin në përgjithësi. Për më tepër, meqenëse aktivet e BKT-së përbëhen nga produkte financiare të thjeshta, siç janë kreditë dhe obligacionet qeveritare, në portofolin e saj nuk gjenden produkte financiare komplekse që u kanë shkaktuar humbje bankave të huaja. Aksionerët e BKT-së, sidomos në një situatë të tillë japin një besueshmëri shumë të madhe. Grupi ynë si aksionari kryesor është një grup që operon në sektorët e energjisë, telekomunikacionit, medias, ndërtimit, tekstileve dhe sektorit bankar në 12 vende dhe me 18.500 punonjës, ndërkohë që gjendja e aktiveve është 5.2 miliardë USD dhe xhiroja vjetore është 800 milionë USD deri më datë 30/06/2008. Në të njëjtën kohë, BKT mbështetet në çdo kohë nga një tjetër pjesë e grupit tonë në Turqi, Aktif Bank, një nga bankat më likuide që operon në sektor. Dukë lënë pas një vit tejet të suksesshëm, kapitali i Aktif Bank në vitin 2008 është rritur me 146%, ndërkohë që kreditë janë rritur me 60%. Me një mjaftueshmëri të kapitalit prej 37% dhe me një normë të ulët të borxhit ndaj kapitalit, Aktif Bank është një nga bankat më të mbrojtura ndaj risqeve të sektorit bankar turk. Në këtë kuadër, duket qartë që BKT-ja ka një strukturë bilanci që mund ta kthejë këtë dallgëzim financiar në një shans. Qoftë stafi drejtues, qoftë ne si aksionerë, besojmë se banka jonë do të dalë nga kjo situatë duke u forcuar, dhe mendojmë se forca dhe mbështetja që BKT i jep ekonomisë shqiptare është shumë e rëndësishme.

A keni plane për investime të tjera në Shqipëri. Jeni të interesuar për investime në sektorë të tjerë?

"Grupi Çalik" është një nga aktorët më të mëdhenj në sektorët e energjetikës, ndërtimit, medias dhe tekstilit në Turqi. Për këtë arsye, përveç sektorit të telekomunikacionit dhe sektorit të financës, ne vlerësojmë dhe mundësitë për investime dhe në sektorë të tjerë. Duke parë Shqipërinë si një nga vendet me një rëndësi kyçe në Ballkan dhe Evropën Lindore, e cila vitet e fundit ndodhet në një proces të shpejtë zhvillimi. Me përvojën tonë në fushën e ndërtimit dhe energjetikes, po ndjekim mundësitë për t'i ofruar Shqipërisë një zhvillim me vlerë. Edhe pas kësaj do të vazhdojnë përpjekjet tona për t'i ofruar këtij vendi kaq të bukur, të reja, një jetë më të mirë dhe shërbime sipas standardeve.

Sektori i telekomunikacionit në Shqipëri është një sektor në zhvillim. "Eagle Mobile" është aktori më i ri në këtë sektor. Jeni të kënaqur nga ky treg dhe si e shihni konkurrencën?

"Eagle Mobile", si operatori më i ri, në një periudhë të shkurtër 6-mujore ka përfunduar punimet në infrastrukturë dhe ia ka arritur të mbulojë të gjithë territorin shqiptar. Shpejtësia me të cilën "Eagle Mobile" ka kryer investimet dhe hyrë në treg, shënon një rekord në Evropë dhe kjo na bën të ndihemi shumë krenar, pasi ka marrë vlerësimet dhe meritat nga i gjithë sektori i operatorëve GSM. Kemi një ekip shumë dinamik, me shumë vlerë në punën e tyre dhe të jetë pjesë e pandashme e shqiptarëve. Ne si grup, deri më tani kemi investuar më shumë se 50 milionë euro vetëm për "Eagle Mobile" dhe do të vazhdojmë të investojmë më tej. Objektivi ynë është që "Eagle Mobile" të jetë operatori celular më i pëlqyer dhe i zgjedhur në Shqipëri. Jemi të vendosur që shqiptarëve t'u ofrojmë shërbimin me cilësinë më të mirë me çmimet më të arsyeshme. Në fushatat e abonimeve që kemi zhvilluar kemi parë një interes dhe një reagim pozitiv. Numri i abonentëve tanë po rritet më shumicë. Besoj me shpirt se shqiptarët meritojnë më të mirën.

Një nga prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare është dhe shtrirja e shërbimit të internetit në të gjithë territorin e vendit. Albtelekom, krahas operatorëve të tjerë privatë, është operatori më i madh që ofron këtë shërbim (internetin). Kohët e fundit shihet që ka një konkurrencë në çmimet e ofruara, mirëpo vërehet se ato vazhdojnë të jenë të larta. Cila do të jetë strategjia juaj në këtë çështje?

Ashtu siç edhe e theksuat më sipër, Albtelekom është lider në tregun e ofrimit të shërbimit të internetit. Albtelekom, me cilësinë në shërbimet që ofron, shpejtësinë me të cilën e ofron këtë shërbim, infrastrukturën teknike dhe ofertat e veçanta që ka hedhur në treg, ka rritur ndjeshëm ndikimin në tregun e abonentëve individualë dhe bizneseve, duke zgjeruar dhe territorin. Strategjia e Albtelekom në shërbimin e internetit për vitin 2009, konsiston në ofrimin e një shërbimi akoma më cilësor, më ekonomik dhe më të vlefshëm (vlerë të shtuar). Kam besim se, abonentët ekzistues dhe ato potencialë të Albtelekom, në 2009 do të përfitojnë nga implementimi i kësaj strategji si dhe do të mbesin shumë të kënaqur. Në vitin 2009, një rëndësi e veçantë do t'u kushtohet pakteve të shërbimit të internetit, të cilat do t'u ofrohen grupeve të ndryshme me mundësi dhe çmime të veçanta.

Gjatë periudhës së privatizimit të Albtelekom, Çalik ka qenë ndër subjektet shumë të përfolura dhe të debatuar. Cilat janë marrëdhëniet e tanishme me qeverinë dhe institucionet e tjera zyrtare?

Grupi Çalik i ka ndërtuar marrëdhëniet me qeveritë dhe institucionet e tjera zyrtare në vendet ku punon dhe investon, bazuar në filozofinë e zbatimit të ligjit, besimit reciprok dhe klimës së mirëkuptimit. Si kompani, në të gjitha vendet ku kemi investuar dhe zhvilluar projektet tona, kemi qenë të kujdesshëm në zbatimin me përpikmëri dhe pa asnjë ekuivok të të gjithë legjislacionit dhe përgjegjësive tona ligjore ndaj institucioneve zyrtare. Edhe qëndrimi ynë në Shqipëri është në të njëjtën filozofi. Dy kompanitë tona Albtelekom, ashtu edhe "Eagle Mobile" në fushat në të cilët zhvillojnë aktivitetin kanë marrëdhënie të mira dhe konstruktive, duke filluar nga AKEP, Autoritetin e Konkurrencës dhe të gjithë autoritetet rregullatore dhe institucionet e tjera zyrtare. Gjatë procesit të privatizimit, është folur shumë në Shqipëri për grupin tonë dhe në fund të këtij procesi është kuptuar se sa seriozë dhe të rëndësishëm jemi ne si investitorë. Që nga nisja e procedurave të privatizimit, gjatë procesit e deri më tani, "Grupi Çalik" ka ngritur një bashkëpunim shumë serioz dhe me mirëkuptim të dyanshëm me Qeverinë shqiptare dhe institucionet e tjera shtetërore. Për këtë kanë ndikuar dhe politikat liberale që Shqipëria ka vënë në zbatim për investitorët e huaj. Ne si grup, përmes investimeve tona në Shqipëri kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm. Ne i kemi ofruar shërbime të reja shqiptarëve nëpërmjet Bankës Kombëtare Tregtare, Albtelekom dhe “Eagle Mobile”. Në këtë mënyrë kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm për krijimin e një mjedisi (tregu) konkurrues dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë dhe në të ardhmen. Kontributi ynë është i prekshëm si për popullin, ashtu dhe për Qeverinë shqiptare dhe vlerësimi i këtij kontributi na bën.

Gazeta “Panorama”

17 Janar 2009


Fillimi | Harta | Kërkim | English Albtelecom Copyright 2009