Operatori më i madh i telefonisë fikse në Shqipëri, ALBtelecom vjen me një filozofi të re në ofrimin e shërbimeve për klientët. Ashtu siç edhe jeni në dijeni menjëherë pas privatizimit, kompania më e madhe e telekomunikacionit në vend, është përfshirë në një proces intensiv investimesh me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor dhe me çmime të arsyeshme për konsumatorin shqiptar. Filozofia jonë e menaxhimit është ndërtuar duke patur si prioritet kryesor, kënaqësinë e klientëve dhe plotësimin e kërkesave të tyre. Duke u bazuar në këtë filozofi, jam sot i lumtur të paraqes përpara jush dhe publikut shqiptar, rezultatet e para të punës sonë të deritanishme
Gjatë kësaj periudhe paralelisht me punën për zgjerimin e rrjetit dhe modernizimin e infrastrukturës, kemi ulur ndjeshëm tarifat për dy nga shërbimet tona kryesore, telefoninë fikse dhe internetin.
Telefonia Fikse
Duke filluar nga 15 Shtatori, ALBtelecom do jetë prezent në treg me tarifa më të ulëta në shërbimin e telefonisë fikse, për të gjithë klientët. Kompania ka vendosur uljen e çmimeve deri në 57 për qind.
Tarifat e reja që do të aplikohen, u mundësojnë familjeve shqiptare që të përfitojnë çmime shumë herë më të ulëta për thirrjet brenda rajonit, ashtu dhe me rajonet e tjera. Për të gjitha kategoritë e thirrjeve kompania ka planifikuar tarifa më të ulëta se pajtimtarët e tjerë.
ALBtelecom ka menduar dhe për familjet që kanë njerëzit e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë, duke ulur tarifat dhe për thirrjet ndërkombëtare. Për bisedat drejt rrjeteve të tjera ndërkombëtare, ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë, kompania ka ulur çmimet deri në 15 për qind. Klientët tanë do të kenë mundësi të komunikojnë me të afërmit e tyre jashtë vendit me çmime shumë më të arsyeshme dhe ekonomike.
Për të lehtësuar komunikimin e klientëve, kompania ALBtelecom ka ulur ndjeshëm tarifat edhe për thirrje drejt operatorëve celularë vendas. Tashmë klientët tanë do të përfitojnë nga ulja e tarifave deri në 30 për qind për abonentët familjarë. Me tarifat e reja, abonentët tanë do të kenë mundësi të flasin më lirë me secilin prej operatorëve celularë.
Gjithashtu kompania ka ulur dhe tarifat për instalimin telefonik, nga 14 mijë lekë që ishte më parë, në 12 mijë lekë pas datës 15 Shtator.
Tarifat e Internetit (ADSL)
Njëkohësisht dua t’ju njoftoj se pak kohë më parë, kompania jonë aplikoi një ulje të madhe në tarifat e internetit, ADSL. Pasi rritëm cilësinë e internetit, ne hodhëm në treg disa paketa në të cilat u aplikuan tarifa deri në 80 % me të ulëta.
Më Konkretisht, tarifa e instalimit të ADSL-së pësoi një ulje nga 52 deri 71 për qind, ndërsa tarifat për paketat ADSL pa limit u ulën nga 50 deri 62 për qind. Nga ana tjetër realizuam ulje të ndjeshme për produktin ADSL PRO, duke menduar t’u japim mundësinë bizneseve shqiptare për të marrë shërbimin e internetit me çmime deri 80 për qind më të ulëta sesa ofroheshin para privatizimit të ALBtelecom dhe me një kualitet shumë herë më të mirë.