Në kuadrin e programit “Cilësi dhe Barazi në Arsim” u nënshkrua në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kontrata për instalimin e shërbimit të internetit në të gjitha shkollat bazë dhe të mesme me prezencën e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja dhe Drejtorit të Albtelekom z. Mustafa R. Akdogan. Kontrata me vlerë mbi 1 milion USD (vlera e plotë 1.051.814.40 USD) do të pajisë me shërbim interneti në tre muajt e ardhshëm të gjitha shkollat e mesme dhe bazë në çdo rreth të vendit.
Ministri Beja u shpreh se me këtë kontratë përmbyllet një fazë e rëndësishme e projektit madhor të MASH, TIK-shkolla. “Me instalimin e internetit për një periudhë kohore të shkurtër-, tha Ministri, - do të shfrytëzohen me mijëra kompjutera që ne kemi shpërndarë ditët e fundit në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Është realisht një arritje për nxënësit e Shqipërisë, për familjarët e tyre, për të gjithë ne si qytetarë. Ne duam që fëmijët tanë të jenë në avangardë të vendeve evropiane sot.
Jemi të gëzuar që kemi arritur të nënshkruajmë një kontratë me kushte shumë të favorshme për MASH dhe me një kompani që ne besojmë se do ti përmbushë të gjitha detyrimet që ka në kontratë dhe në mënyrë të tillë që të gjithë nxënësit të përfitojnë prej këtij shërbimi. Unë dua të uroj drejtorin e përgjithshëm të Kompanisë ALBtelecom, që ka fituar këtë tender me një diferencë të madhe nga pozicioni i dytë. Njëkohësisht dua të uroj që zbatimi i kontratës të jetë i suksesshëm deri në fund”.
Ndërsa z. Akdogan pasi falenderoi për bashkëpunimin me MASH tha se: “Jam shumë i nderuar dhe shumë i lumtur që jemi ne fituesit e këtij tenderi dhe që do të kontribuojmë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar. Një nga misionet e Albtelekom është për t’i shërbyer sistemit arsimor, shkollës shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç e përmendi pak më parë edhe z. Ministër, do të mundohemi që në një kohë rekord, të çojmë shërbimin e internetit në të gjitha shkollat.. Do të mundohemi ta bëjmë të prekshëm për të gjithë nxënësit shqiptarë një nga realitetet e shekullit 21 që është teknologjinë e internetit, duke bashkëpunuar ngushtë me MASH për ta realizuar me sukses këtë projekt”.