Politikat e reja të komunikimit dhe rrjetit të internetit në të gjithë vendin. Programet për administrimin automatik të ankesave të klientëve. Dhe gjithçka tjetër që ndodh në zyrën e Drejtuesit të Përgjithshëm të ALBtelecom. Por dhe jeta e tij jashtë zyrës së punës. Mustafa Resit Akdogan rrëfen rifillimin e jetës së re në Tiranë, ku shumë prej zakoneve shqiptare i ngjasojnë me ato të vendit të tij, Turqisë.
Si u ngjendet në Tiranë në krye të një prej kompanive më të mëdha?
Para se të më jepej mundësia për të ardhur në Shqipëri, kontaktet e mia me “Çalik Group” kanë nisur gjatë kohës kur unë drejtoja ANTEN AS. Isha në dijeni të investimeve të kompanisë “Çalik Group” në Shqipëri. Kur mu bë propozimi për të drejtuar kompaninë më të madhe të telefonisë fikse në vend, e vlerësova ALBtelecom si kompaninë e duhur dhe të përshtatshme, ku duke përdorur njohuritë dhe eksperiencat e mia të mëparshme në fushën e telekomunikacionit, do të mund të zbatoja dhe realizoja projekte akoma më të mëdha. Statusi dhe potenciali i kompanisë për mua ishte tërheqës nga njëra anë dhe nga ana tjetër krijonte mundësitë për zhvillim të mëtejshëm.
Cilat ishin objektivat e para që i vendoset vetes?
Me duhet të them që në krye të herës objektivi parësor ka qenë modernizimi i teknologjisë së telekomunikacionit dhe ofrimi i shërbimeve të standardeve bashkëkohore si në shërbimin e telefonisë fikse ashtu dhe shërbimin e internetit për të gjithë abonentët shqiptarë. Në funksion të këtij objektivi ne kemi qenë të fokusuar në instalimin dhe përforcimin e rrjetit të shpërndarjes e të transmetimit me qëllim përballimin e nevojave për komunikim për mbi 200 mijë abonentë të rinj në të gjithë vendin, përveç atyre ekzistues. Objektivat tona janë orientuar në ngritjen e infrastrukturës teknike, programeve dhe hardware-ve për administrimin automatik të ankesave të klientëve individuale dhe institucionalë dhe përmirësimin e vazhdueshëm jo vetëm të produkteve, por dhe shërbimit e mëpasshëm. Në një kohë të shkurtër, ne ia kemi arritur që krahas modernizimit të infrastrukturës, të operojmë në treg me tarifa ekonomike, tërheqëse dhe të leverdishme për klientët individualë dhe institucionalë. Në qendër të vëmendjes kemi patur dhe projektet me përgjegjësi sociale dhe bashkëpunime me institucionet shtetërore dhe atyre publike.
Sa prej këtyre objektivave mendoni se keni realizuar deri më tani?
Mund të them pa frikë se në një kohë të shkurtër dhe në sajë të një volumi të madh pune, me investimet e kryera është arritur rinovimi i rrjetit të transmisionit në të gjithë Shqipërinë, duke trefishuar kapacitetet transmetuese dhe tashmë ALBtelecom është i gatshëm të ofrojë shërbimin e telefonisë fikse dhe internetit ne pjesën me të madhe të Shqipërise me cilësi të standardeve më të larta. Krahas modernizimit të infrastrukturës dhe rritjes së kapaciteteve transmetuese në zonat urbane, kemi parashikuar që deri në fund të vitit investimet të shtrihen dhe në zonat rurale, duke mundësuar në këtë mënyrë shërbimin e telefonisë fikse dhe internetit në çdo cep të vendit dhe cilësi të standardeve të larta. Pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit, ne ia kemi arritur që në një kohë rekord të ofrojmë shërbimin e internetit në rreth 2200 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin. Gjithashtu kemi patur dhe do të vazhdojmë të investojmë për arsimin përmes projekteve pilot për krijimin e klasave informatike me universitetet shtetërore dhe ato private. Objektivi ynë është njohja e çdo shqiptari me teknologjinë më të fundit të telekomunikacionit.
A ka ndryshuar ALBtelecom që nga koha kur ishte kompani publike tanimë nën menaxhimin Tuaj? Cilat mund të jenë sukseset më të prekshme?
Ndryshimi i ALBtelecom pas privatizimit është i prekshëm nga të gjithë. Në sajë të investimeve në rrjet dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, aplikimit të tarifave ekonomike, ALBtelecom është tashmë lider i padiskutueshëm në fushën e shërbimeve të telekomunikacionit me rrjet fiks dhe shërbimin e internetit, çka na jep mundësinë të vazhdojmë me të tjera investime për shërbime cilësore dhe me çmime të leverdisshme për qytetarët shqiptarë. Në një vit ne kemi arritur që të kemi rreth 30 mijë abonentë të rinj vetëm për shërbimin e internetit me ADSL dhe rreth 100 mijë abonentë për shërbimin e telefoninë fikse. Gjatë kësaj periudhe është bërë e mundur ulja e tarifave për shërbimin e internetit deri në 80 për qind dhe rreth 60 për qind ulje për tarifat e thirrjeve të telefonisë fikse. Në mënyrë të veçantë kemi ulur në një përqindje shumë të madhe çmimet për klientët tanë për thirrjet brenda rrjetit si dhe në drejtim të operatorëve të tjerë celularë si dhe nuk kanë munguar ofertat e vazhdueshme për të gjitha thirrjet nga rrjeti i ALBtelecom.
Po politikat me klientët? A janë klientët Shqiptarë të ndryshëm nga ata turq?
Ne e kemi bërë të qartë që në fillim se jemi të vendosur që klientëve tanë t’u ofrojmë shërbimin me cilësinë më të mirë në treg dhe me çmime shumë herë më të leverdisshme. Në fushatat e abonimeve që kemi zhvilluar ne kemi parë interes dhe një reagim mjaft pozitiv të qytetarëve për shërbimin e telefonisë fikse dhe shërbimin e internetit. Gjithashtu ne kemi investuar në krijimin e një Qendre moderne për Shërbimin ndaj Klientit, e cila u ofron abonentëve tanë shërbimet të standardeve bashkëkohore. Prioriteti ynë është kënaqësia e klientit për shërbimet që ne ofrojmë. Mund të them se Shqiptarët janë njohës të mirë të teknologjisë, dinë çfarë duan dhe janë shumë të saktë në kërkesat e tyre dhe në atë çfarë presin nga ne. Klientët shqiptarë janë bashkëpunues në anketat që ne bëjmë dhe shumë prej paketave që ne ofrojmë janë të frymëzuara nga sugjerimet e klientëve tanë.
Si mendoni se do të vijojë funksionimin kompania juaj, në vitet në vijim?
Sigurisht që ne kemi objektiv që të qëndrojmë si lider për shërbimin e telefonisë fikse dhe shërbimin e internetit, jo vetëm duke konsoliduar pozitat tona në treg, por dhe duke ofruar për klientët aktualë dhe potenciale shërbimi të reja, të cilat shumë shpejt do t’i prezantojmë për publikun shqiptar. Çdo projekt i ynë do të jetë në funksion të modernizimit të shërbimeve dhe ofrimit të shërbimeve me çmime të leverdishme.
Sa dhe si ndikoi në jetën tuaj, në familjen tuaj, shpërngulja në Shqipëri?
Vërtetë shpërngulja në Shqipëri ka qenë një sfidë e madhe si për mua ashtu dhe për familjen, duke qenë se ne na duhej të fillonim një jetë totalisht të re, me një kulturë ndryshe, por shumë të ngjashme me atë turke. Shqiptarët janë shumë të dashur dhe të afrueshëm dhe kjo e ka bërë më të lehtë adoptimin tonë në Shqipëri. Orët që kalojnë në punë janë tepër të gjata dhe koha për familjen është mjaft e limituar. Megjithë orët e gjata të punës dhe kohën e pakët pranë familjes, kemi arritur gjejmë hapësira për të njohur kulturën dhe traditat e Shqipërisë, duke bërë vizita në qytete të ndryshme. Shqiptarët na kanë lënë përshtypje pozitive, të cilat janë të dashur, të afrueshëm dhe shumë mikpritës. Gjithashtu stafi i ALBtelecom e ka bërë dhe më të lehtë shpërnguljen time këtu, duke u gjendur gjithmonë i gatshëm në arritjen e objektivave.
Ku jeni akomoduar në Tiranë dhe si vijon tashmë jeta juaj në këtë vend jashtë orareve të punës?
Për shkak të angazhimeve të gjata në punë dhe për të qenë sa më afër saj, bashkë me familjen kemi zgjedhur të banojmë në një zonë të afërt me zyrat e ALBtelecom. Koha jashtë orarit të punës është shumë e kufizuar dhe pjesën e mbetur të saj mundohem t’ia kushtoj familjes, bashkëshortes dhe tre vajzave të mia. Gjithashtu mundohem të gjej sadopak kohë, për t’u takuar me miqtë e rinj shqiptarë.
Cilat janë vendet që frekuentoni dhe preferoni më shumë në Tiranë apo jashtë saj?
Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe vendet për t’u vizituar janë të shumta. Mundohem të frekuentoj ambiente ku mbizotëron, kultura, tradita dhe historia shqiptare.
A keni bërë miq shqiptarë në këto kohë?
Siç e theksova dhe me sipër, shqiptarët janë miqësor dhe të dashur. Kjo ka qenë dhe një avantazh për mua, duke me ndihmuar të bëj mjaft miq shqiptare me të cilët shpresoj t’i ruaj gjithmonë marrëdhëniet.
Sa keni arritur të kuptoni nga mentaliteti i njerëzve në këtë vend, të cilët janë njëkohësisht dhe klientët tuaj?
Shqiptarët dhe turqit kanë mjaft ngjashmëri në mentalitet dhe kulturë, kjo për shkak të kulturës dhe pozitave gjeografike. Pikërisht këto ngjashmëri në mentalitet, kulturë mënyrë të jetuari të shqiptarëve më bashkëkombësit e mi më ka ndihmuar që shumë shpejt të krijoj një panoramë të qartë të mënyrës së jetesës dhe asaj çfarë ata duan.
Si ishin ditët e para të ardhjes suaj në Tiranë?
Ditët e para në Tiranë kanë qenë tepër intensive. Sigurisht përveç akomodimit, ndër punët e para kanë qenë pikërisht prezantimi në kompaninë e ALBtelecom, njohja me stafin prej 2200 punonjësish, gjendjen e kompanisë si dhe ingranimin për të krijuar në vizion të ri, i cili do të vendoste në plan klientët e ALBtelecom dhe qytetarët shqiptarë, duke u mundësuar atyre maksimumin më çmimin më ekonomik të mundshëm.