Interviste me Drejtorin e Përgjithshëm Mustafa R. AKDOGAN
Është lënë pas tashmë odiseja e atij privatizimi të shumëpërfolur e të kontestuar, ndërkohë që për mbi dy vjet ALBtelecom funksionon si kompani private, pjesë e grupit Çalik. Përvojat shqiptare në privatizimin e sektorëve strategjikë nuk kanë qenë gjithmonë entuziaste, e megjithatë shumëçka ka lëvizur na ALBtelecom: Zgjerimi i vazhdueshëm i abonentëve të telefonisë fikse është shoqëruar me atë që shumë shqiptarë e kishin dhe e kanë pikë të dobët, shtimin e eksesit në internet dhe çmimet konkurruese. Të paktën kjo është ajo që duket. Po çfarë po ndodh në këtë kompani që sigurisht mbetet në pozitë monopol për vetë natyrën e saj? A mund të kishin qenë ritmet më të shpejta dhe cilat janë projektet e afërta? Një bisedë me Drejtorin e Përgjithshëm Mustafa Resit Akdogan hedh më shumë dritë mbi këtë sektor, rëndësia e të cilit shumëfishohet pikërisht për peshën që merr çdo ditë e më shumë interneti në jetën tonë, shoqërinë dhe ekonominë e një vendi.
Zoti drejtor, privatizimi i ALBtelecom nga “Calik Group” u finalizua dy vjet më parë, pas një periudhe të gjatë debatesh politike dhe publike. A mund të themi tani, dy vjet më pas, se konsumatori shqiptar nuk ka dalë i zhgënjyer nga ky privatizim strategjik?
Në të vërtetë, siç dhe e theksuat ju, privatizimi i ALBtelecom është realizuar pas një periudhe kohore të gjatë dhe të vështirë. Mirëpo menjëherë pas privatizimit, në saje të strategjive të përcaktuara, objektivave të vendosur dhe projekteve të ideuara, ALBtelecom ka nisur një proces aktiv, të shpejtë dhe dinamik. Si rrjedhojë e kësaj perspektive dhe strategjive të mirëpërcaktuara që në krye, mendoj se abonentët tanë individualë dhe ato institucionalë, për çdo ditë që kalon marrin kënaqësi dhe vazhdojnë të mbesin të kënaqur nga mundësitë dhe shërbimet që ofron ALBtelecom.
Për vetë pozicionin monopol të kompanisë në telefoninë fikse dhe linjat e internetit, pritej që pas privatizimit të vihej re një zgjerim i ndjeshëm i shërbimit në këto dy oferta. Kjo në fakt ka ndodhur: Por a ka qenë në ritmet e duhura? A mund të na jepni disa shifra krahasuese?
Në të vërtetë, para privatizimit të ALBtelecom, çmimet e ofruara për shërbimin e telefonisë fikse dhe për atë të shërbimeve të internetit, krahasuar me tregun e brendshëm në Shqipëri, atë të vendeve të tjera ballkanike dhe çmimet e tjera të tregut botëror, realisht kanë qenë shumë të larta. ALBtelecom, si pasojë e një strategjie marketingu agresive dhe çmimeve konkurruese në tregun e shërbimit të internetit, në një kohë shumë të shkurtër ka arritur të shtojë numrin e përdoruesve të internetit dhe ia ka arritur të marrë një pozicion lider në tregun e shërbimit të internetit. Përsa i përket tarifave të shërbimit të telefonisë fikse, janë aplikuar ulje të tarifave deri në 35 për qind për thirrjet drejt rrjeteve ndërkombëtare, thirrjet drejt operatorëve celularë dhe operatorëve të tjerë alternativë. Në mënyrë të veçantë, tarifat për thirrjet brenda qytetit dhe ato mes qyteteve pothuajse janë në të njëjtin nivel. Për herë të parë për klientët tanë kemi aplikuar paketën pa limit, e cila u mundëson atyre të flasin pa limit dhe pa llogaritur kohën e bisedës. Në këtë pikë më duhet të them se edhe përgjatë vitit 2010 në shërbimin e telefonisë fikse, do të vazhdojmë me ofertat tona dhe aplikimin e tarifave, të cilat do të kënaqin të gjithë klientët tanë dhe do u krijojnë atyre mundësi të flasin pa menduar për kostot.
Një nga kushtet e privatizimit ishte respektimi i plan biznesit të paraqitur nga privatizuesi, çka do të mbikqyrej edhe nga qeveria shqiptare. A mund të na thoni se çfarë përmbante ky plan dhe si është respektuar?
Duhet të theksoj që në krye se si para periudhës së privatizimit, gjatë periudhës së privatizimit por dhe pas periudhës së privatizimit ne si grup kemi bashkëpunuar në një klimë të përshtatshme dhe mirëkuptimi me të gjitha hallkat dhe institucionet shtetërore. Pas privatizimit të ALBtelecom, ne ia kemi arritur që të përmbushim dhe realizojmë në kohë të gjitha projektet, planifikimet dhe përgjegjësitë tona, të cilat lidhen me investimet, shërbimin ndaj klientëve dhe telekomunikacionin në përgjithësi. Kjo besoj se është një tregues i qartë i përmbushjes së strategjive dhe planeve tona investuese. Në këtë pikë, në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme ndajmë informacione dhe të dhëna të nevojshme në mënyrë të koordinuar me të gjitha institucionet shtetërore. Besoj se kjo klimë bashkëpunimi dhe koordinimi mes nesh dhe institucioneve shtetërore në një të ardhme të afërt do të japë rezultatet e bollshme në sektorin e telekomunikacionit ku ne operojmë. Pikërisht si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi të frytshëm, të gjitha grupet/shtresat do të vazhdojnë të marrin një shërbim cilësor, pa ndërprerje dhe mjaft ekonomik.
Një sfidë e madhe dhe e papërmbushur e ALBtelecom shtetëror ishte cilësia e shërbimit mbështetës ndaj klientëve, shpejtësia e marrjes së këtij shërbimi dhe ai lloj “klientelizmi” që vërehet përgjithësisht tek kompanitë shtetërore. Si i keni superuar këto probleme?
Ne si ALBtelecom kemi të adoptuar si parim kryesor tonin dy vlera të rëndësishme. Parimi kryesor ynë është respektimi dhe kënaqësia e klientëve dhe konsumatorit shqiptar. Dhe së dyti ne i kushtojmë shumë rëndësi vlerësimit të stafit tonë të punonjësve. Pas marrjes së detyrës, kemi nisur një projekt të rëndësishëm, i cili përfshin të gjithë punonjësit tanë. Projektin në fjalë e kemi emërtuar si “Ndryshimi dhe Transformimi i ALBtelecom”. Me gjithë dimensionet dhe synimet e tjera, projekti në fjalë ka si qëllim kryesor transformimin e plotë të identitetit të kompanisë dhe ndryshimin e sjelljes në raport me klientët. Projekti ka gjithashtu si synim të përmirësojë shërbimin dhe të rrisë efikasitetin e strukturave, të cilat kanë komunikim të vazhdueshëm me klientët tanë dhe që ndikon në përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve të ofruara nga ne si ALBtelecom.
Çfarë ka ndodhur me punonjësit e kompanisë? A ka pasur pushime nga puna; apo shtesë personeli; a është trajnuar ai për të përballuar sfidat e teknologjisë? Po rrogat si kanë lëvizur? E së fundi, cilat janë sot hapësirat e një punonjësi për të bërë karrierë në Albtelecom?
Ashtu sikundër e theksova dhe në pyetjen e mësipërmet, një nga dy principet dhe vlerat tona kryesore si investitorë është vlerësim i punonjësve tanë. Në këtë kontekst për stafin tonë aktual kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe konkret për të përmirësuar kushtet e punës, të drejtat e tyre personale, pagave dhe gjendjes së sigurimeve shoqërore. Por gjatë vitit 2009, kemi qenë të detyruar të ndërpresim marrëdhëniet e punës me një pjesë të personelit tonë. Dhe në këtë pikë, thelbësore për ne ka qenë formimi i një ALBtelecom-i më dinamik, më efikas dhe më të mirëmenaxhueshëm. Gjithashtu kemi patur si prioritet dhe krijimin e mundësive për të rinjtë në Shqipëri. Parë në këtë këndvështrim, mund të them se pas privatizimit kemi afruar në ekipin tonë rreth 150 personel të rinj nën moshën 30 vjeç. Edhe gjatë vitit 2010 do të vazhdojmë t’i përmbahemi kësaj filozofie në rekrutimin e personelit të ri.
Duhet thënë se për njëfarë kohe, dolën fjalë se kompania ishte privatizuar për t’u rishitur, ç’ka e përgënjeshtroi në një intervistë ekskluzive për revistën Klan, vetë zoti Ahmet Çalik. Si mendoni, pse dolën këto thashetheme dhe si u përgjigjeni ju sot?
Pyetja juaj ka brenda dhe një pjesë të përgjigjes së çështjes që ju risillni në vëmendje. Përsa i përket kësaj çështje, qëndrimi i Presidentit të “Çalik Group” Zotit Ahmet Çalik dhe prononcimet e mia në disa mediume kanë qenë të qarta dhe nuk kanë asnjë dyshim se nuk kemi plane të tilla as në të ardhmen e afërt, atë afatmesme dhe të ardhmen e largët. Ne kemi ardhur këtu për të qenë të përhershëm, për të qëndruar dhe në këtë aspekt jemi jashtëzakonisht të kënaqur që jemi këtu. Ashtu sikundër ju edhe ne i ndjekim me habi dhe të çuditur thashethemet dashakeqe të lëshuara rreth kësaj teme.
Një pyetje për cilësinë dhe estetikën e infrastrukturës, duke qenë se janë të dukshme për sytë e qytetarëve mijëra kabllot e linjat që shtrihen nëpër qytetet dhe lagjet tona: A mund të sistemohen ato? Kompetencë e kujt janë; mos nevojitet bashkëpunimi me pushtetin lokal?
Përsa i përket kësaj çështjeje rreth situatës aktuale, mund të them se kemi patur mbështetjen e plotë të institucioneve përkatëse dhe plane dhe projekte, të cilat po implementohen. Besoj dhe jam i bindur se deri në gjysmën e dytë të vitit 2010 do të ketë disa ndryshime të rëndësishme. Me investimet që po kryejmë në një pjesë të mirë të rrjetit tonë për ofrimin sidomos të shërbimeve bashkëkohore të telekomunikacionit dhe këtë pjesë më duhet ta theksoj, kjo panoramë që ju përshkruani në pyetjen tuaj, në mënyrë automatike do të eliminohet dhe do të gjejë zgjidhje të përhershme. Abonentët tanë në të ardhmen do të marrin shërbimin më të mirë, pikërisht bazuar në një infrastrukturë bashkëkohore dhe moderne.
A mund të na thoni disa detaje mbi bashkëpunimin tuaj me operatorët ruralë të telefonisë fikse; si funksionon ky bashkëpunim?
Ne si ALBtelecom kemi bashkëpunim dhe marrëdhëniet me operatorët, të cilët operojnë dhe ofrojnë shërbimet të ndryshme në zonat rurale. Këto marrëdhëniet janë në një stad shumë të mirë. Ne si operator, me një ndikim të rëndësishëm që kemi në tregun e telekomunikacioneve kemi ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për liberalizimin, hapjen ndaj konkurrencës dhe çlirimin e këtij sektori. Dhe në të ardhmen do të vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij zotimi. Jemi të vetëdijshëm se konkurrenca është faktori dhe komponenti kryesor që mban në nivele të kënaqshme sektorin e telekomunikacionit dhe e drejton atë drejt rritjes dhe përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë. Por gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ketë kushte të drejta dhe të barabarta.
Cilat janë projektet dhe ofertat që po përgatisni së fundi?
Gjatë kësaj periudhe, në krye të të gjitha projekteve qëndron rritja e shërbimeve të internetit me bandë të gjerë (broadband) për klientët tanë dhe ofrimi i shërbimeve më vlerë të shtuar. Në mënyrë të veçantë, po punojmë më të gjitha kapacitet e mundshme dhe aftësinë tona për të vendosur dhe lëvizur Shqipërinë në pozicionin që i takon në epokën e internetit. Gjithashtu më duhet të shtoj se përsa i përket shërbimit të internetit, se objektivat dhe perspektiva e vendosur nga Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Sali Berisha, sigurisht që na e rrit akoma më shumë përgjegjësinë. Përtej kësaj, jemi duke punuar në projekte të shuma si e-government, e-biznes, shërbimet satelitore, telefonin multimedial, punimet muzike-video në ueb, aplikacionet triple. Këto projekte do të përfundojnë në pjesën e parë dhe të dytë të vitit 2010 dhe klientët tanë do të kenë mundësi t’i marrin këto shërbime.
Dy fjalë për të shuar kureshtjen e lexuesit: Kush është Mustafa Reshit Akdogan?
Kam lindur në vitin 1974 në Ankara/Turqi. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin Teknik të Stambollit, kam ndjekur studimet master si dhe kam përfunduar studimet e doktoraturës. Karrierën profesionale e kam nisur pranë Turk Telekom. Duke filluar nga pozicioni i inxhinierit pranë Turk Telekom karrierën time profesionale e kam vijuar në pozicione dhe detyra të ndryshme në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Më pas karriera ime ka vijuar në një pozicion të rëndësishëm pranë kompanisë së Televizioneve Kabllore dhe Satelitore Turksat. Para angazhimit tim në ALBtelecom, kam qenë Drejtori i Përgjithshëm pranë kompanisë së Transmetimeve Numerike Radio/TV “Anten”, e krijuar në bashkëpunim mes qeverisë turke dhe operatorëve kombëtarë dhe lokal në Turqi. Ndërkohë që nga Qershori i vitit 2008 punoj pranë ALBtelecom. Gjatë karrierës sime kam patur si veçori kryesore të punës sime efektivitetin, disiplinën dhe këmbënguljen.
Revista “KLAN” 21.11.2009