Nëndrejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, z. Baki Kuran në një intervistë në numrin e fundit të revistës “Monitor” shprehet se gjatë 2 viteve të fundit kompania ka kryer investime serioze në infrastrukturë me qëllim përhapjen e shërbimit broadband të internetit në një zonë më të gjerë. Ai tha se ofertat efektive, cilësia e shërbimit dhe çmimet konkurruese dhe të arsyeshme kanë bërë që për qytetarët shqiptarë, ALBtelecom të jetë zgjedhja kryesore. Sipas tij, gjatë vitit 2009 numri i abonentëve që kanë zgjedhur të marrin shërbimin e internetit nga ALBtelecom është 30 fishuar. Me investimet e kryera gjatë vitit të kaluar, tha z. Kuran rrjeti i mbulimit është zgjeruar me 25 për qind. “Vetëm në 2 vjet ne kemi ndërtuar një të katërtën gjithë rrjetit që është ndërtuar në gjithë historinë e ALBtelecom. Sigurisht që për ne kjo shifër nuk është e mjaftueshme dhe nuk do të mjaftohemi me këtë”, tha ai. Z. Kuran shtoi se së shpejti klientët do të befasohen me cilësinë e lartë dhe shërbimet e avancuara të ALBtelecom. Në vitin 2009, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kompania ka mundësuar shërbimin e internetit në mbi 2 mijë shkolla.
Kompani juaj ka regjistruar një rritje të numrit të abonentëve, veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit. Si u arrit ky rezultat pozitiv? A mund të na jepni disa informacione rreth numrit të abonentëve si dhe ofertat që juve aplikoni?
Gjatë dy viteve të fundit ALBtelecom ka realizuar shumë investime në infrastrukturë dhe rrjetin e transmetimit, me qëllim shtrirjen e shërbimit të internetit broadband në të gjithë territorin e Shqipërisë. Paralelisht më këtë, për të përballuar kërkesën në rritje si dhe për të përmirësuar shërbimin e ofruar është rritur kapaciteti i lidhjeve ndërkombëtare të internetit si dhe janë instaluar rreth 100 mijë porta interneti. Ndërkohë në mënyrë të vazhdueshme qytetarëve shqiptarë u janë ofruar mundësi të shumta, çka ka sjellë dhe zgjerimin e përdorimit të internetit në Shqipëri. Ofertat dhe mundësitë kanë krijuar një vetëdije të madhe në treg mbi internetin dhe numri i abonentëve të internetit është rritur më shumë se 30 herë gjatë vitit të fundit dhe sot ne kemi rreth 60.000 abonentë interneti. Mund t’ju them se jemi shumë të kënaqur me këtë arritje. Krahas investimeve dhe rritjes së cilësisë së shërbimit i kemi ofruar konsumatorit shqiptar oferta të ndryshme. Momentalisht kemi në treg oferta për paketat nga 512 Kbit/s deri në 4Mbit/s shpejtësi. Në të ardhmen përqendrohemi tek shërbimet dhe produktet e reja, të cilat do të jenë të një shpejtësie më të madhe sesa ato të aplikuara deri më tani. Pas një eksperience të konsiderueshme në internet, tani është koha që të ofrohen më shumë shërbime për të plotësuar më mirë kërkesat e tregut.
Një pyetje lidhur me rrjetin e ALBtelecom të trashëguar nga struktura shtetërore? Sa keni investuar në rrjet, kabllo etj, cili është ndryshimi ndaj kompanive tjera, veçanërisht në shërbimet broadband?
Ashtu siç e përmenda dhe më lart kemi kryer investime të mëdha në rrjetin backbone të internetit. Në të njëjtën kohë më lejoni të theksoj se në këtë periudhë kemi rritur me 25 për qind zonën e mbulimit nga rrjeti ynë. Kjo do të thotë që vetëm në 2 vjet ne kemi ndërtuar një të katërtën gjithë rrjetit që është ndërtuar në gjithë historinë e ALBtelecom. Sigurisht që për ne kjo shifër nuk është e mjaftueshme dhe nuk do të mjaftohemi me këtë. Nisur nga ky fakt kemi proces edhe shumë investime për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit dhe ofrimin e shërbimeve të reja. Ne do të ndërtojmë teknologjinë më të avancuar të telekomunikacionit në pjesën qendrore të rrjetit tonë. Për momentin nuk mund të them më shumë, por mund të garantoj se klientët tanë individualë dhe ato biznes, shumë shpejt do të befasohen nga shërbimet tona të avancuara. Lidhur me aspektin e dytë të pyetjes tuaj, dua të theksoj faktin se përveç se jemi një ofrues direk i shërbimit të internetit për abonentët tanë, mund të them që ka 2 ndryshime kryesore me kompanitë tjera; Cilësia jonë e lartë dhe investimet tona në vazhdimësi. Investimet totale të operatorëve të tjerë janë më të vogla se investimet që ne kemi arritur të realizojmë gjatë vitit të fundit në broadband.
Qeveria ka një plan në zgjerimin e përdorimit të internetit dhe nëse është e mundur të ketë internet për çdo familje. Si mund të arrihet kjo nga pika dominuese e juaja, që mbani aktualisht në treg? Cili është opinion juaj mbi shpejtësinë e internetit dhe tarifat krahasuar me vendet e tjera?
Ka një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet përhapjes së këtij shërbimi dhe rritjes ekonomike e zhvillimit të vendit. Duke u nisur nga ky fakt ALBtelecom mbështet planet e qeverisë shqiptare për zgjerimin e përdorimit të internetit. Sigurisht që kjo mbështetje nuk mbetet në fjalë, por edhe në vepra konkrete. Ne realizuam projektin e lidhjes më internet të më shumë se 2 mijë shkollave në gjithë Shqipërinë si dhe shumë projekte të tjera që janë në përputhje me vizionin për dixhitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë. Kohët e fundit kemi filluar një projekt të madh, i cili ka për qëllim mbulimin e të gjitha komunave të vendit me shërbimin e internetit. Ne ndajmë të njëjtin vizion; shërbim interneti për çdo familje në një kohë sa më të shkurtër. Janë një sërë komponentësh social-ekonomikë, të cilët ndikojnë në rritjen e përdorimit të internetit. Gjithsesi treguesit janë pozitivë për të ardhmen. Sa i përket pjesës së fundit të pyetjes suaj, duhet të kuptojmë se për të krahasuar tarifat e internetit pa përfshirë tarifat mujore për linjat telefonike me qera, nuk është e saktë. Tarifa mujore është 5 herë më pak krahasuar me shumë vende të tjera dhe ende tarifat e internetit janë më të ulëta se të tjerët. Dhe së dyti, Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera në Evropë sa i përket tarifës së lidhjes broadband. Në këtë drejtim ka ende shumë investime për të bërë. Prandaj, është e nevojshme të krahasoni çmimet e tanishme në Shqipëri me çmimet e 5-7 vjetëve më parë në vende të tjera. Nëse bëhen këto krahasime, atëherë është e qartë se tarifat janë shumë herë më të ulëta. Pavarësisht kësaj, përmes planeve tona për investime të mëtejshme, përveç rritjes së kapaciteteve qëllimi ynë është ofrimi i shërbimeve cilësore bashkëkohore me çmime të konkurruese dhe të arsyeshme.
Revista "MONITOR",
03.05.2010
.JPG)
Nëndrejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, z. Baki Kuran