Të dy kompanitë dhurojnë pajisje për ambientet e qendrës.
ALBtelecom dhe Eagle Mobile mbështesin Qendrën Polivalente Ditore të Shërbimeve Sociale në Kamëz. Të dy kompanitë dhuruan tavolina, dollapë dhe karrige për këtë qendër, në të cilën kalojnë ditën më shumë se 30 të moshuar nga rrethe të ndryshme, por që banojnë në qytetin e Kamzës. Të pranishëm në ceremoninë e dhurimit ishin Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe njëkohësisht Drejtori i Grupit të Shërbime të Korporatës në ALBtelecom dhe Eagle Mobile, z. Osman Dinler, Drejtoresha e Qendrës Polivalente Ditore të Shërbimeve Sociale, znj. Lumturi Abazi dhe drejtues të tjerë.
Gjatë ceremonisë, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, z. Osman Dinler duke nënvizuar qëndrimin prej 8 vjetësh në Shqipëri theksoi se gjithnjë e më shumë ndjehet shqiptar. “Me kompanitë tona shqiptare mundohemi gjithnjë e më shumë që të mbrojmë dhe zhvillojmë vlera për shoqërinë Shqiptare. Pritja juaj e ngrohtë më bën të ndjehem shqiptar. Mbështetja jonë në projekte të tilla do të vazhdojë. Kompanitë tona duke u nisur nga principi mbrojtjes së vlerave janë një derë e hapur për çdo pjesëtarë të kësaj qendre” ka thënë z. Dinler. Zv. Drejtori i Përgjithshëm theksoi se aktivitete të tilla shërbejnë më shumë si shembull i mirë për të gjithë shoqërinë dhe biznesin, që kontributet ndaj komuniteteve të ndryshme në nevojë të rriten gjithnjë e më shumë.

Ndërkaq, Drejtoresha e Qendrës Polivalente Ditore të Shërbimeve Sociale, znj. Lumturi Abazi falënderoi kompanitë ALBtelecom dhe Eagle Mobile për mbështetjen e dhënë për këtë qendër dhe pjesëtarët e saj. Në fjalën e saj ajo theksoi se kjo shtëpi e vogël por me zemër të madhe shërben që pjesëtarët e saj të kalojnë një ditë sa më të kompletuar me argëtime, aktivitete e shëtitje. Ajo uroi që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Qendra Polivalente Ditore e Shërbimeve Sociale në Kamëz është krijuar në vitin 2002, si pjesë e projekteve të Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Në këtë qendër me shumë se 30 të moshuarve nga rrethe të ndryshme, por me banim në Kamëz, u ofrohet mundësia të kalojnë disa orë në shoqërinë e njëri-tjetrit në ambientet e saj dhe të përfitojnë nga mundësitë dhe shërbimet që u ofrohen.

ALBtelecom dhe Eagle Mobile, në fokusin e projekteve të Përgjegjësisë Sociale, i kushtojnë një rëndësi të veçantë mbështetjes së shtresave në nevojë. Edhe më parë ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë ndihmuar moshat e treta. përmes projekteve të veçanta. Vitin që kaloi, të dy kompanitë, projektet e Pëgjegjësisë Sociale ia kanë kushtuar arsimit. Ndërkohë këtë vit në vëmendjen e të dy kompanive është Teknologjia.