Internet i sigurt për fëmijët

lundroni-te-sigurte.jpg

1. Këshilla për prindërit

Informohuni për rreziqet që mund t’u vijnë fëmijëve tuaj gjatë përdorimit të internetit, në veçanti për ngacmimet seksuale nëpërmjet tij;
Komunikoni dhe bisedoni me fëmijën tuaj rreth rreziqeve të mundshme që mund t’i vijnë atij nga përdorimi i internetit;
Kaloni një kohë të caktuar së bashku me fëmijët tuaj duke eksploruar në internet. Bëni të mundur që ata t’ju tregojnë rreth gjërave të pëlqyeshme dhe faqeve të vizituara vazhdimisht prej tyre.

Vendoseni kompjuterin në dhomën tuaj të ndenjes dhe jo në dhomën e fëmijëve. Vendosja e kompjuterit në dhomën e fëmijëve e bën të pamundur kontrollin nga ana juaj kur ata janë duke kaluar kohë në internet dhe rrjedhimisht ata janë më tepër të ekspozuar ndaj çdo lloj ngacmimi nëpërmjet rrjetit, në veçanti nga ngacmimet seksuale (të pedofilëve); Krijoni në kompjuter një “përdorues të veçantë” për fëmijët tuaj, duke përcaktuar edhe kufizime përdorimi;

Vendosni rregulla të përcaktuara mirë mbi mënyrën dhe kohën e përdorimit të kompjuterit dhe internetit nga fëmijët tuaj. Disa faqe interneti dhe koha e papërcaktuar e përdorimit janë të papërshtatshme për fëmijët tuaj.

Kontrolloni vazhdimisht “historikun” e internetit në kompjuter; kjo do t’ju ndihmonte të mësonit se çfarë faqesh frekuenton fëmija juaj gjatë përdorimit të internetit; Instaloni në kompjuterin tuaj programe të “kontrollit prindëror” (parental control), ose mjeteve të posaçme, të cilat kryejnë filtrimin e faqeve që kërkojnë akses në internet.

Kini kujdes dhomat e bisedimeve (chat rooms), pasi ato përdoren gjerësisht nga personat me prirje pedofilike për rekrutimin e fëmijëve, me qëllim ngacmimin seksual dhe deri në lënien e takimeve për abuzimin seksual të tyre. Mësojeni fëmijën tuaj të jetë i përgjegjshëm në përdorimin e burimeve të internetit;

2. Këshilla për femijët

Ka disa gjëra të rëndësishme të cilat ju duhet t’i dini dhe t’i zbatoni gjatë përdorimit të kompjuterit dhe/ose internetit;
Mos jepni informacione personale, si:

  • emrin tuaj të plotë apo të vërtetë
  • adresën tuaj
  • Numrin tuaj të telefonit të shtëpisë, apo numrin tuaj celular
  • Emrin, ose adresën e shkollës suaj
  • të dhënat personale të familjes, të të afërmve, ose miqve tuaj
  • vendet tuaja të preferuara
  • foton tuaj personave të panjohur dhe/ose atyre të njohur nëpërmjet internetit;

Kur ju keni hapur ndonjë llogari në internet, si psh e-mail, chat ose në ndonjë website - përdorni një pseudonim.

  • Mos shkarkoni foto, ose video të dërguara nga adresa/persona të panjohur, ose persona të njohur nëpërmjet internetit;
  • Mos shkarkoni /postoni fotografi për persona që nuk i njihni, ose i keni njohur në internet;
  • Mos ju përgjigjni asnjëherë mesazheve, apo postimeve të ndryshme nga persona të panjohur;

Tregojuni menjëherë prindërve, vëllezërve /motrave më të rritura, mësueses suaj, nëse merrni mesazhe të cilat ju bëjnë të ndiheni keq, ose të frikësoheni.

Kujtohuni se personi që ju mund të njihni në internet mund t’ju thotë se është moshatari juaj, por në të vërtetë mund të jetë një i rritur i cili kërkon t’ju bëjë keq. Mos lini takim dhe mos u takoni me asnjë person me të cilin jeni njohur nëpërmjet internetit.

Në rast se ndiheni të rrezikuar nga dikush që keni njohur online kontaktoni në numrin e shkurtër 166. Shërbimi “ALO 116” - Linja Kombëtare për Fëmijët në Shqipëri është në dispozicion të gjithë fëmijëve në të gjithë vendin, 24 orë në ditë, 7 ditë të javës dhe çdo ditë të vitit. Shërbimi i “ALO 116” përqëndrohet tek fëmijët në nevojë, në rastet e denoncimit të shkeljes së të drejtave të fëmijëve si, dhe të përdorimit, apo shpërndarjes së materialeve pornografike në internet, për të siguruar një shërbim të sigurt për fëmijët.

Përditësuar: 26 Shtator 2016