Çfare është mashtrimi telefonik Wangiri ose "zilet teke"?

Gjatë gjithë ditës, numra të huaj e të çuditshëm kanë dërguar thirrje të humbura në telefonin tënd. Ato vijnë nga një vend që nuk e ke vizituar kurrë, apo nuk ke të afërm e të njohur prej andej. Sa herë shifrat ndryshojnë pak, duke e bërë të pamundur bllokimin e tyre. Thirrjet zgjasin vetëm disa sekonda dhe ti i merr si thirrje të humbura, apo zile teke. Je i tunduar t'i marrësh mbrapsht, por nuk duhet ta bësh diçka të tillë, pasi është një mashtrim dhe mund të të kushtojë shtrenjtë!

Po, çfare është mashtrimi telefonik Wangiri ose "zilet teke"?

Kjo qasje, e quajtur Wangiri Scam, mbështetet në kuriozitetin tënd të lindur. Shumë njerëz do ta kthenin instinktivisht një telefonatë të humbur - madje edhe nga një numër ndërkombëtar misterioz. Dhe natyra e përsëritur e mashtrimit (nuk është e pazakontë të marrësh dhjetra thirrje të humbura brenda një dite të vetme) shton intrigën dhe presionin.

Po, çfarë ndodh nëse i hyn thellë një telefonate të tillë? Thirrja jote i drejtohet një numri me tarifim mjaft të kushtueshëm. Ti detyrohesh të qëndrosh në linjë për shumë kohë e sa më gjatë rri, aq më shumë para fitojnë ata që e kanë mundësuar këtë mashtrim.

Për ta realizuar këtë, mashtruesit mbështeten në një ndërthurje të inxhinierisë sociale dhe psikologjisë. Disa "viktima" kanë raportuar se u është thënë se kanë fituar një çmim - zakonisht para - dhe inkurajohen të presin në linjë për ta kërkuar atë. Të tjerët thjesht testojnë durimin e viktimës duke i nënshtruar ata të dëgjojnë muzikë (pa ndonjë stimulim tjetër).

Mashtrimet Wangiri e kanë origjinën në Japoni. Vetë termi është japonez dhe përkthehet "zile teke". Dhe siç do të nënkuptonte emri, është një mashtrim i vërtetë ndërkombëtar, me viktima të shpërndara në të gjithë botën. Paralajmërimet rreth mashtrimit janë shfaqur në mediat amerikane, kanadeze, irlandeze dhe në Zelandën e Re, e më gjerë.

Zilet teke nuk vijnë vetëm nga vende të zhvilluara. Viktimat kanë raportuar të kenë marrë thirrje edhe nga vende në zhvillim si Mauritania, Liberia, Komoros apo Çad, si edhe nga kombe të vogla të Paqësorit si Ishujt Kuk dhe Nauru (me popullsi vetëm 10,756 banorë).

Si të mbrohesh?

Në fakt, ka vetëm një mënyrë për ta mbrojtur veten nga ky mashtrim, dhe është të përmbahesh e të mos e marrësh mbrapsht numrin që po të bën "zile", nëse nuk e njeh atë e veçanërisht nëse është numër ndërkombëtar.

Nuk është e paarsyeshme të supozosh se kushdo që ka urgjencë apo dëshiron të flasë me ty do të të telefonojë sërish, do të lërë një mesazh zanor, apo do të dërgojë një SMS.

Një supozim tjetër i arsyeshëm: Nëse je mashtruar me thirrje misterioze të humbura, shanset janë që edhe njerëz të tjerë janë si ti. Vendose numrin misterioz në Google dhe ka një mundësi shumë të madhe që të zbulosh se edhe njerëz të tjerë kanë marrë zile teke, duke të konfirmuar dyshimet e tua pë një Wangiri Scam, pra një mashtrim me qëllim zhvatjen e kreditit tënd telefonik.

Pra, në rast se merr një thirrje nga një numër i panjohur me prefiks ndërkombëtar, në mënyë që të jesh i mbrojtur nga mashtrimi dhe dëmi financiar:

  1. Mos i’u përgjigjni thirrjeve nga numra të tillë.
  2. Mos kthe thirrjen drejt këtyre numrave që shfaqen në listën e thirrjeve të humbura (missed calls);
  3. Kontakto sa më shpejt Shërbimin tonë të Klientit në 123 dhe/ose pikat tona të shitjes duke raportuar numrin/numrat e dyshuar;
  4. Kontakto AKEP në konsumatori@akep.al, Tel: +35542259571, Adresa: Rruga ‘Reshit Collaku’, Tiranë.

Jepi operatorit detaje si me poshte:

– Numrin/numrat e dyshuar që te ka marrë/apo që ke marrë në telefon dhe kohën e telefonatës;

– Numrin tënd të telefonit dhe mënyrën e kontaktimit.

Për të parandaluar kryerjen pa dashje të telefonatave drejt këtyre numrave, duhet të fshish (delete) numrin/numrat e dyshuar nga lista e thirrjeve të humbura (missed calls log).

Gjithashtu mund të bllokosh të gjitha thirrjet dalëse ndërkombëtare dhe/ose drejt numrave me vlerë të shtuar, duke kontaktuar me Shërbimin tonë të Klientit.

E nëse e gjen veten vazhdimisht pre të thirrjeve Wangiri, të sugjerojmë të shikosh mundësinë e ndryshimit të numrit tënd të telefonit, apo edhe kufizimin e dhënies së numrit tek shumë persona jashtë rrethit tënd të njohjeve.

Scammers-at e telefonit shpesh i sigurojnë numra të telefonit nga rrjedhja e të dhënave dhe bazat e të dhënave të marketingut; të dyja lehtësisht të përfitueshme përmes mjeteve të ligjshme dhe apo edhe tëpaligjshme.

Çfarë duhet të bësh nëse kthen thirrjet drejt këtyre numrave?

Ne marrim masa për mbrojtjen nga telefonata të tilla apo skema të tjera mashtruese nëpërmjet sistemeve anti-fraud në rrjetin tonë për identifikimin e rritjeve anormale të thirrjeve drejt destinacioneve me kosto shumë të larta (premium rate) apo numra jashtë standardit (numra të cuditshëm) si dhe bllokimi/kufizimi i thirrjeve hyrëse dhe dalëse drejt numrave të tillë gjenerues të thirrjeve mashtruese.

Megjithatë, pavarësisht masave mbrojtëse dhe monitoruese të ndërmarra nga ne, operatorët e tjerë në Shqipëri dhe operatorët në vende të tjera, thirrje dhe skema të tilla mashtruese vijojnë të ekzistojnë. Për këtë arsye në shumë raste lufta ndaj skemave të tilla bazohet dhe në raportimet e pajtimtarëve dhe adresimi individual i tyre kryhet rast pas rasti.

Raportimi i këtyre numrave na ndihmon të marrim masat e nevojshme për të rritur mbrojtjen e pajtimtarëve nga telefonata të tilla si dhe për parandalimin e pagesave drejt këtyre numrave abuzivë.

Me marrjen e informacionit ne kemi mundësinë të bllokojmë thirrjet hyrëse dhe dalëse drejt këtyre numrave, duke të mbrojtur ty por edhe pajtimtarë të tjerë.

Pra me marrjen e ankesës/informacionit nga pajtimtari për një/disa numra të tillë, ne përcjellim informacionin nga departamentet e marrdhënieve me klientin (apo pikat e shitjes) tek departamentet e tjera si interkoneksioni apo anti-fraud për të hetuar cështjen dhe marrë masat përkatëse.

Referenca:

©www.akep.al

©www.howtogeek.com

Përditësuar: 24 Janar 2020