Kompania

Rreth Nesh

Kompania e sotme ALBtelecom i ka hedhur bazat e veta fill pas krijimit të Qeverisë së përkohshme të Shqipërisë në vitin 1912, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar. Kjo qeveri, duke çmuar rëndësinë e ndërlidhjes për nevojat e domosdoshme të shtetit të ri, të popullatës, ekonomisë dhe komunikimit me jashtë, ndërmori hapa për organizimin e shërbimit të Postë-Telegrafës. Pikërisht për këtë arsye, krijohet Ministria Shqiptare e Postë-Telegrafës dhe në postin e ministrit të parë të kësaj ministrie emërohet z. Lef Nosi. Kjo ministri më vonë do të quhej Ministria e Postës dhe Telekomunikacioneve.

Me gjithë përpjekjet për të krijuar një strukturë, e cila do të lehtësonte komunikimet brenda dhe jashtë vendit, gjatë Luftës së Parë Botërore ndërlidhja pësoi shkatërrime. Transformimet rifilluan menjëherë pas krijimit të shtetit të ri shqiptar në vitin 1920.

Në vitin 1922, pranë Ministrisë së Punëve Botore, u krijua Administrata e Shtetit Shqiptar për ndërlidhjen, e cila aderoi si anëtare në Bashkimin Ndërkombëtar Postar dhe u bë anëtare e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.

Në vitin 1960 kapaciteti i telefonisë fikse u rrit 4 herë. Ndërkohë, nisur edhe nga nevoja gjithmonë në rritje për komunikim, në vitin 1965, u hapën zyra të Postë-Telekomunikacionit në të gjitha lokalitetet e vendit. Kjo u realizua përmes ndërlidhjes telefonike të drejtpërdrejtë të të gjitha qendrave të rretheve me Tiranën.

Në fillim të viteve ’70, sektori i Postë-Telekomunikacionit njohu një tjetër hap të rëndësishëm: mundësimin e lidhjeve me fshatrat. Pikërisht në këtë vit ndodhi lidhja e drejtpërdrejtë e Tiranës me të gjitha qytetet. Vitet ’80 e në vazhdim shënojnë edhe rritjen e fluksit të investimeve, në kuadër të zgjerimit të kapaciteteve të centraleve nëpër qytete, për fuqizimin dhe zhvillimin e bazës teknike si dhe për montimin e aparaturave të sistemit të numërimit, duke lehtësuar ndjeshëm rrugën e komunikimit telefonik.

Ndërkohë, vitet ’90 sollën një valë të re ndryshimesh pozitive në vendin tonë, që përkuan me instalimin e një sistemi të ri, i cili u shoqërua edhe me ndryshime galopante në fushën e telekomunikacionit.

Më 5 shkurt të vitit 1992, Telekomi Shqiptar krijohet si ndërmarrje më vete. Gjatë harkut kohor 15-vjeçar, kompania e telefonisë fikse shënoi investime në përmirësimin e rrjetit dhe në ofrimin e shërbimeve të reja. Në fillim të vitit ‘96 u realizua futja e shërbimit të telefonisë publike me kartë të parapaguar. Në vitin ’97 u realizua vënia në shfrytëzim e kabllit me Fibër Optike, një linjë kjo më cilësore për transmetimin e trafikut ndërkombëtar.

Periudha e Privatizimit

Vitet 2000 e gjejnë ALBtelecom në një fazë të re; në atë të përgatitjes për privatizim. Cetel Telekom, i përbërë nga një prej kompanive më të mëdha në Turqi, Çalik Group (me 80% të aksioneve) dhe Turk Telekom (me 20% të aksioneve), bleu 76% të aksioneve të ALBtelecom, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve prej 24% zotërohet nga qeveria shqiptare dhe aksionerë të tjerë.

Pas një procedure të gjatë negocimi, më 1 Tetor 2007, Kompania CETEL a.s (Ankara), pjesë e ÇALIK Holding, me qendër në Stamboll, në partneritet me Turk Telekom, u bë zyrtarisht pronare e gjigandit të telefonisë fikse ALBtelecom dhe e operatorit të tretë të telefonisë celulare Eagle Mobile.

Viti 2004 shënoi një tjetër fazë zhvillimesh të rëndësishme si: implementimi i fazës së parë të Sistemit të Faturimit dhe Kujdesit për Abonentin, zgjerimi i rrjetit kryesor të internetit, si edhe implementimi i teknologjisë ADSL.

Që nga privatizimi i kompanisë, në Shtator 2007, krahas ofrimit të shërbimeve cilësore në telefoninë fikse dhe në shërbimin e internetit me brez të gjerë (broadband), ALBtelecom ka kryer një volum të madh investimesh për ngritjen e një rrjeti modern dyqanesh, si edhe për zëvendësimin total të infrastrukturës dhe të rrjetit në të gjithë vendin.

Deri në fund të vitit 2012, kompania ka investuar rreth 150 milionë Euro dhe vazhdon të investojë për zëvendësimin, apo zgjerimin e rrjetit, për shtimin e kapaciteteve në të gjithë territorin e vendit, për përgatitjen e infrastrukturës, për shërbimet më të fundit të teknologjisë, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit etj. ALBtelecom ka mbi 850 punonjës në të gjithë Shqipërinë dhe rrjeti i dyqaneve është mbi 80 në strukturën e saj si dhe mbi 2 mijë pika të tjera.

Rrjeti Backbone i Fibrës Optike të ALBtelecom-it ka shtrirje dhe mbulim territorial në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Të gjitha pajisjet e transmetimit ALBtelecom janë të lidhura me fibra optike në rrjetin unazor Ring Topology, për të garantuar dhe mundësuar transmetim të dhënash për shërbime të telefonisë, Internetit, Data IPTV, xDSL etj. Rrjeti Unazor shërben për të lidhur një pajisje aktive transmetimi me dy drejtime të ndryshme fibrash optike fizike (FO). Nëse ka një dëmtim fizik në një drejtim FO-je, atëherë informacioni që është duke u transmetuar ndryshon rrugën në drejtimin e dytë rezervë për të arritur në destinacion.

Tashmë rrjeti i fibrave optike të ALBtelecom arrin në mbi 3000 km në të gjithë territorin e vendit, nga i cili 600 km rrjet ndërkombëtar që lidhet me vendet fqinje. Në vitin 2007, kur u privatizua kompania, kishte vetëm 500 km fibra optike.

ALBtelecom është në kërkim të vazhdueshëm të mundësive dhe hapësirave të reja për investime dhe për ofrimin e shërbimeve bashkëkohore.

Edhe sot, kompania kryen investime të vazhdueshme për zëvendësimin dhe zgjerimin e rrjetit, për shtimin e kapaciteteve në të gjithë territorin e vendit, për përgatitjen e infrastrukturës së shërbimeve më të fundit teknologjike etj., në kuadër të planeve strategjike që ajo ka për futjen e produkteve të reja, për rritjen e numrit të abonentëve në të gjithë Shqipërinë, si edhe për zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe të komunikimit, në mënyrë të veçantë të Internetit.

Në një periudhë të shkurtër kohore, pikërisht në sajë të këtyre investimeve është rritur ndjeshëm cilësia e shërbimit të telefonisë fikse dhe të shërbimit të internetit, si edhe janë shtuar ofertat dhe paketat e reja ekonomike për klientët. Investimet e kryera kanë bërë që në një kohë të shkurtër rrjeti i komunikimit të pësojë një transformim total, nga komunikimi tradicional, në atë të ri dixhital, interaktiv, dinamik, të shpejtë dhe të përshtatshëm për shërbimet më të fundit.

ALBtelecom ka si prioritet kryesor përkujdesjen ndaj klientëve dhe aplikimin e inovacioneve teknologjike. Kompania tashmë karakterizohet nga një strukturë e re dhe dinamike, e cila është e fokusuar tërësisht te klientët dhe kënaqësia e tyre, si për cilësinë e shërbimeve të ofruara, ashtu edhe për aplikimin e çmimeve të arsyeshme.

Objektivi i ALBtelecom është ofrimi i shërbimeve bashkëkohore për qytetarët shqiptarë dhe shndërrimi i Shqipërisë në qendrën kryesore të teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit në rajon. Përmes Qendrës Shqiptare të Shkëmbimit të Internetit – Albanian Internet Exchange Point (AIXP), ALBtelecom është i pari dhe i vetmi në rajon që mundëson një internet më të shpejtë dhe më të lirë. Aplikimi i kësaj teknologjie i hap rrugën vendit drejt dixhitalizimit dhe aplikimit të shërbimeve më të fundit.

ALBtelecom ka potencial të sigurojë dhe të përshtatë zgjidhjet ideale për sektorin e biznesit dhe sipërmarrjes në vend, duke filluar nga profesionistët, bizneset e mesme dhe ato të mëdha, sektori publik dhe ai privat, dhe këtë e arrin përmes shërbimit të telefonisë fikse, shërbimit të internetit me ADSL, Askes Internetit të Dedikuar, Intranetit, shërbimit ISDN, Fibrës Optike me qira, Lidhjes LAN etj.

Eagle Mobile, nga viti 2013 një markë brenda kompanisë ALBtelecom

Në mars të vitit 2011 nis procesi i bashkimit të kompanive ALBtelecom dhe Eagle Mobile, të cilat pavarësisht se ishin pjesë e një pakete, funksiononin si dy kompani të ndryshme. Në muajin shkurt 2013, kompania ALBtelecom bën pjesë të sajën kompaninë e telefonisë celulare, Eagle Mobile, e cila shndërrohet në një markë brenda ALBtelecom. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i ka dhënë kompanisë ALBtelecom licencën e transferimit që e lejon këtë kompani të ofrojë shërbimet dhe produktet e telefonisë fikse dhe internetit me bandë të gjerë, si dhe të telefonisë celulare dhe të internetit me bandë të gjerë nën markën Eagle Mobile.

Shkrirja e kompanisë celulare Eagle Mobile brenda kompanisë ALBtelecom, u vjen në ndihmë konsumatorëve, të cilët dëshirojnë të kenë të gjitha shërbimet dhe produktet e telefonisë dhe të internetit të inkorporuara. Shkrirja e kompanive që nuk është gjë tjetër veçse një praktikë e vendeve të zhvilluara, ka zhdukur dallimet ndërmjet telefonisë fikse dhe teknologjisë mobile, në përputhje me nevojat e konsumatorëve, duke e transformuar në këtë mënyrë komunikimin në një shërbim të aksesueshëm nga të gjithë.

Në mars të 2008-ës Eagle Mobile nisi aktivitetin zyrtar të komunikimit. Ky operator vendosi një rekord të ri, duke hyrë në tregun shqiptar të telekomunikacionit më 12 mars 2008. Në një periudhë shumë të shkurtër prej 6 muajsh, Eagle Mobile mbuloi të gjithë territorin e vendit, duke tejkaluar të gjithë kufijtë e shpejtësisë dhe të parashikimeve. Tani kompania mbulon 98.5% të popullsisë së vendit dhe 92.5% të territorit të vendit. Operatori i tretë ndihmoi në liberalizimin e tregut. Me ardhjen e tij, çmimet pësuan një rënie drastike prej mbi 40%. Eagle solli për herë parë për shqiptarët teknologjinë EDGE, shërbimin e internetit në celular në teknologjinë 2.5G dhe tani kompania përdor teknologjinë më të fundit dhe më të shpejtë në Shqipëri, LTE Advanced. Sistemi Dual-Carrier HSPA+ që përdoret nga Eagle Mobile është planifikuar që të eliminojë rënien e kapacitetit të internetit në celular në kohën e pikut. Më 04.04.2014 ALBtelecom prezantoi përpara publikut markën e re të njehsuar në ngjyrën Amaranth dhe imazhin e ri të kompanisë.

Vite të rëndësishme historike të kompanisë dhe të telekomunikacionit në përgjithësi

5 Dhjetor, 1912 – U themelua Ministria e Postë Telegraf-Telefonave

1921 – Instalohet I pari central telefonik manual me 200 numra.

1930 – Tiranës i shtohet një central telefonik automatik dikasterial me 150 numra e me rrjet kabllor të kufizuar vetëm për lidhjet e ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.

1947 – Montohet në Tiranë centrali i parë telefonik automatik publik prej 800 numrash, montohen aparate teleshkrues me disa rrethe të vendit dhe hapet kursi i parë me teknikët më të mirë të asaj kohe.

1955-1960 – Centrali i Tiranës shtohet me 4000 numra dhe montohen centrale të rinj automatikë në qytetet e tjera kryesore të vendit si Shkodër, Gjirokastër, Korçë, etj. proces i cili përfundon në të gjithë qytetet dhe rrethet e vendit në vitin 1983. Të gjithë këto centrale ishin të sistemit dekadik, teknologji elektromekanike.

December 3, 1973 – Përfundon lidhja me telefon e gjithë fshatrave të vendit, sistem i cili bazohej kryesisht në linja ajrore dhe në disa zona në rrjet kabllor.

1978 – Vihet në shfrytëzim centrali i parë automatik telegrafik me 200 numra, i teknologjisë krosbar, prodhim Ericsson, i cili siguron futjen e zyrave telegrafike në transmetim automatik Gentex, i cili përmirësohet më vonë me centralin elektronik teleks të prodhimit francez Sagem.

1990 – Vihen në punë dy centralet e para lokale dixhitale në qytetin e Tiranës (3000 numra) dhe në qytetin e Durrësit (2000 numra) prodhime të firmës “Italtel”.

1992 - U themelua “Telekomi Shqiptar” si një ndërmarrje shtetërore, duke ofruar shërbime telekomunikacioni në rrjetin fiks

1994 - “Telekomi Shqiptar” nënshkruan kontrata me kompaninë Alcatel për instalimin e 66 mijë numrave telefonike dhe me firmën Sirti për ndërtimin e rrjetit ndërurban të transmetimit, bazuar në teknologjinë SDH me fibra optike dhe radiorele.

1996 - Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit të fibrave optike: Gjermani-Austri-Kroaci –Shqipëri–Greqi.

1999 - Posta Shqiptare sh.a. dhe ALBtelecom sh.a. shndërrohen në shoqëri aksionare.

Mars 2004 - ALBtelecom fitoi licencën si operatori i tretë mobile, me “Eagle Mobile”.

2007 - Çalik Holding dhe Turk Telecom zotërojnë 76% të aksioneve të ALBtelecom.

Mars 2008 - Operatori I tretë I telefonisë celulare Eagle Mobile nisi veprimtarinë e vet. Eagle Mobile arriti mbulimin e 97.8 % të popullsisë dhe 90.8% të mbulimit të territorit.

2010 - Akses ndërkombëtar përmes fibrave optike ndërkombëtare. Më shumë se 10GB/s të transmetuara nga sistemi I fibrave në të gjithë drejtimet.

2011 - 2.000 km fibër optike u instalua përmes sistemit backbone në të gjithë Shqipërinë.

2012 - Përfundon transformimi teknologjik për të siguruar të dhëna broadband me shpejtësi të madhe përmes Xdsl. Zhvillohet teknologjia e rrjetit qendror CISCO.

17 Dhjetor, 2012 – “Eagle Mobile” fitoi licencën e tretë individuale për ofrimin e shërbimeve të standardit 3G.

2013

  • ALBtelecom dhe Eagle Mobile u bashkuan në një kompani,
  • U shtuan fibra në zona urbane (fibra në shtëpi);
  • Prezantimi I shërbimit 3 G përmes lidhjeve me fibra;
  • U ofrua shërbim Wi-Fi në zonat urbane

2014

  • Mars – prezantohet shërbimi VDSL
  • Prill - ALBtelecom dhe Eagle Mobile prezantuan për publikun brandin e ri të unifikuar në ngjyrë amaranth dhe imazhin e ri të kompanisë.
  • Prill - ALBtelecom dhe Eagle Mobile prezantuan shërbimet IPTV, u bërë kështu kompania e parë në Shqipëri e ofrimit të telefonisë fikse të konverguar, internetit broadband, shërbimit mobile dhe TV.
Përditësuar: 11 Tetor 2016