Ndajmë eksperiencën me brezin e ri

ALBtelecom ka nisur një fushatë të re, dinamike që i vjen në ndihmë brezit të ri, profesionistëve të ardhshëm të vendit, Forumet Akademike ALBtelecom.

Në kuadër të përgjegjësisë sociale të kompanisë, për të kontribuar në fushën akademike, duke ndarë eksperiencën shumëvjeçare dhe ekspertizën më të mirë në fushën e telekomunikacioneve, si dhe për t’u dhënë mundësi studentëve të njihen më nga afër me praktikën e punës në korporata të mëdha, ALBtelecom ka iniciuar dje seancën e parë të forumeve akademike në Universitetin Europian të Tiranës.

Studentë të Masterit në degën e Informatikës Ekonomike në UET kanë patur mundësinë të njihen me Sistemet e Menaxhimit të Informacionit në ALBtelecom dhe Eagle Mobile. Ekspertët përfaqësues të Grupit të Teknologjisë së Informacionit në ALBtelecom, znj. Sonila Profili, zv. Drejtore e Drejtorisë së Sistemeve Suportuese të Biznesit dhe z. Almir Bici, menaxher i Departamentit të Analizës dhe Menaxhimit të Kërkesës kanë ndarë eksperiencën e tyre me studentët, të cilët në fund të prezantimit kanë patur kohë të lirë për pyetje dhe sqarime të mëtejshme.

Fushata e Forumeve Akademike të ALBtelecom do të vazhdojë gjatë gjithë vitit akademik dhe do të shtrihet në universitete të ndryshme shtetërore dhe private në Tiranë.

Përditësuar: 29 Janar 2015