ALBtelecom nderohet me çmimin Sipërmarrja Inovatore e Vitit

Kompania ALBtelecom nderohet me çmimin “Bleta e Artë” 2016, në kategorinë “Sipërmarrja Inovative e vitit”, për zgjidhjet inovative të ofruara përmes platformës së biznesit “Smart Business”.

Mbrëmja Gala “Bleta e Artë” 2016 u organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit z. Edi Rama.

Kompania e ALBtelecom ishte një prej 5 kompanive të nominuara në kategorinë “Sipërmarrja Inovative e vitit” si dhe fituesja e kësaj kategorie, duke u prezantuar në këtë event me platformën inovative të biznesit “Smart Business”, shoqëruar me një video përshkruese të saj.

Çmimi “Sipërmarrja Inovative e vitit” iu dorëzua Kryetarit të Bordit të ALBtelecom, Z. Giuseppe Farina.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Z. Farina falënderoi organizatorët dhe theksoi rëndësinë e marrjes së këtij çmimi për kompaninë, teksa bëhej fjalë për inovacionin.

“Inovacioni për ne është një domosdoshmëri. Pa inovacion është e pamundur të ecim përpara, kam bindjen se inovacioni në ofrimin e shërbimeve, produkteve, në teknologji ku ne jemi lider, është po aq i rëndësishëm sa edhe inovacioni në marrëdhëniet me klientët. Kjo është strategjia dhe përpjekja jonë: të sjellim inovacion dhe të krijojmë platforma biznesi për çdo sipërmarrës në mënyrë që të ndihmojmë gjithkënd të rritet dhe të bëjë biznes”, - tha Kryetari i Bordit.

Ai u shpreh shumë i nderuar që përfaqësonte një kompani me përvojë më shumë se 100 vjeçare, duke nënvizuar se edhe pse jemi një kompani kombëtare, po veprojmë dhe zhvillohemi me një mendësi globale.

Në fund të fjalës së tij, Kryetari i Bordit të ALBtelecom një falënderim të veçantë ia adresoi të gjithë punonjësve të përkushtuar të kompanisë që me idetë e tyre inovative mundësojnë zgjidhje të fjalës së fundit, produkte dhe shërbime më të reja.

Kompania ALBtelecom është kompania e vetme me shërbime të integruara që ofron gamë të gjerë të shërbimeve nën konceptin “One Stop Shop”, ku përdoruesit mund të gjejnë shërbimet e telefonisë fikse dhe të lëvizshme, internet, ALBwifi dhe WiFi në zona publike, televizion, shërbime Cloud etj.

Përditësuar: 29 Dhjetor 2016