ALBtelecom ruan avantazhin e komunikimit me Kosovën

ALBtelecom dhe Telekomi i Kosovës (VALA) nënshkruajnë marrëveshjen që vë në jetë iniciativën e Roam Like Home për klientët e tyre.

Në vijim të bashkëpunimit të shkëlqyer mes ALBtelecom dhe Telekomit të Kosovës (VALA), u nënshkrua ripërtëritja e marrëveshjes më kuptimplotë në tejkalimin e barrierave të komunikimit mes Shqipërise dhe Kosovës. Për ALBtelecom firmosi Drejtori i Përgjithshëm Z. Tahsin Yilmaz dhe për Telecomin e Kosovës firmosi Z. Trim Musliu, Drejtor i Përgjithshëm.

Kjo marrëveshje u mundëson prej vitesh miliona qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë të flasin lirisht, si në shtëpinë e tyre, kur vizitojnë këro dy vende.

Me anë të kësaj marrëveshjeje janë ulur ndjeshëm kostot e komunikimit mes operatorëve, duke sjellë në tregjet respektivë risi në ofertën komerciale dhe duke bërë të mundur përdorimin e paketave të ngjashme me ato kombëtare edhe në planin e shërbimit Roaming.

Përfitimet shtrihen në të gjitha mjetet e komunikimit që përdorin klientët e epokës digjitale, si në pjesën e komunikimit zanor ashtu edhe në atë të mesazheve të shkruar, por sidomos në mjetin më bashkëkohor që është përdorimi i Internetit, në rrjetet 4G.

Në këtë mënyrë, ALBtelecom dhe Telekomi i Kosovës (VALA) me anë të kësaj marrëveshjeje i paraprirjnë nismës Roam Like Home brenda vendeve të Bashkimit Evropian, duke e konkretizuar këtë iniciativë për abonentët e tyre.

Abonentët e të dy operatorëve shprehen mjaft të kënaqur me nismën dhe kjo vërehet edhe në numrin në rritje të klientëve, të cilët përdorin shërbimin Roaming në të dy krahët e kufirit, me të njëjtat tarifa si në rrjetin e tyre

Përditësuar: 23 Nëntor 2018