ALBtelecom mbulon me Wi-Fi falas sheshin simbol të shqiptarëve, sheshin “Skënderbej”

Për të gjithë shqiptarët apo vizitorët e huaj, tashmë interneti në sheshin “Skënderbej” është zgjidhur përmes Wi-Fi falas, të mundësuar nga ALBtelecom.

Kjo nismë është promovuar përmes një shëtitjeje inspektuese për përdorimin e shërbimit më të ri Wi-Fi në sheshin “Skënderbej”, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ALBtelecom, z. Tahsin Yilmaz.

Si pjesë e strategjisë së ALBtecom për të sjellë internet për të gjithë, z. Yilmaz parashtron motivet e kësaj nisme: “Është kënaqësi e veçantë që bashkë me Kryetarin e Bashkisë jemi dëshmitarë të kontributit që ALBtelecom i ofron qytetarëve të Tiranës. E kemi shumë përzemër këtë projekt, sepse ofrimi i internetit për këdo në Shqipëri është pjesë e misionit tonë dhe ne do të ndërmarrim disa hapa për ta përmbushur atë. Dëshirojmë të ftojmë këdo për të vizituar sheshin dhe për të lundruar në internet me cilësinë më të mirë” – shpjegoi Yilmaz.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj shpjegoi për qytetarët e Tiranës këtë risi në sheshin simbol të qytetit. “Është shumë e rëndësishme në botën ku jetojmë sot, që jo vetëm të kemi materiale fizike që na mundësojnë një eksperiencë të këndshme në shesh, por edhe aksesin në rrjet. Kështu që jemi bërë partner me ALBtelecom-in për t’u siguruar që në 7 pika të sheshit “Skënderbej” ne të kemi burim valor Wi-Fi për internet pa limit, për të gjithë ata që do të vizitojnë sheshin.” – tha Veliaj.

Ky projekt është një shembull i kontributit që kompanitë në fushën e teknologjisë ofrojnë për qytetarët. Në ngritjen e infrastrukturës së ofrimit të shërbimit të internetit Wi-Fi, janë vënë në dispozicion pajisjet më avangarde. ALBtelecom do të vijojë me projekte të ngjashme për të qenë gjithmonë e më pranë qytetarëve, në përmbushje të misionit për të sjellë internet te të gjithë.

Përditësuar: 28 Maj 2018