THIRRJE E ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË AKSIONARËVE TË ALBTELECOM SH.A.
Tiranë, më 1 gusht 2018
Aksionarëve të ALBtelecom Sh.a,
Kemi kënaqësinë t’Ju njoftojmë mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve të ALBtelecom sh.a.
ALBTELECOM SH.A. (“ALBtelecom” ose “Shoqëria”) ështe një shoqëri aksionare e themeluar sipas së drejtës shqiptare, me seli në Autostradën Tiranë – Durrës, Km. 7, Kashar, Tiranë, Shqipëri, e regjistruar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Vendim Nr. 20820, datë 16 shkurt 1999. (www.albtelecom.al)
Vendi: ALBtelecom SH.A., Autostrada Tiranë - Durrës, Km. 7, Kashar, Shqipëri
Datë: 27 gusht 2018
Ora: 11:00
Aksionarët mund të përfaqësohen në mbledhje nga përfaqësuesit e tyre, me anë të një autorizimi ose prokure të posaçme. Aksionarët e ALBtelecom janë regjistruar në Librin e Aksioneve të Shoqërisë. Aksionarët mund të konsultohen me përmbajtjen e Librit të Aksioneve, si edhe të çdo dokumenti tjetër në lidhje me këtë Asamble të Përgjithshme, pranë Drejtorisë së Çështjeve Ligjore, në adresën: Autostrada Tiranë - Durrës, Km. 7, Kashar, Shqipëri.
Asambleja e Përgjithshme thirret dhe mblidhet në përputhje me Statutin e Shoqërisë dhe Ligjin Nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, i ndryshuar, dhe në veçanti të drejtat e Aksionarëve janë dhe do të respektohen në përputhje me nenet 137, 138, 139, 140 dhe vijues të ligjit të lartpërmendur.
Rendi i Ditës:
- Miratimi i Dokumenteve të miratuara me Vendimin e Këshillit të Administrimit Nr. 4, datë 11 korrik, 2018:
- Raporti i Veprimtarisë së vitit 2017 të Shoqërisë;
- Pasqyrat financiare për vitin 2017 për Shoqërinë;
- Raporti i Ekspertit kontabël të autorizuar - Mazars shpk;
- Deklarata e Miradministrimit të Shoqërisë për vitin 2017;
- Miratimi i shpërndarjes ose jo të fitimeve vjetore per Vitin Financiar 2017.
- Shkarkimi nga përgjegjësia e Këshillit të Administrimit të Shoqërisë në lidhje me administrimin e Shoqërisë për Vitin 2017.
- Miratimi i emërimit të Mazars shpk si ekspert kontabël i autorizuar për një afat një vjeçar duke filluar nga 26/05/2018, për auditimin e vitit financiar 2018.
- Miratimin e rinovimit të afatit në detyrën e Anëtarit të Këshillit të Administrimit për anëtarët Ertuğrul Gürler, z. Tahsin Yılmaz dhe z. Mahmut Can Çalık për një periudhë 3 vjeçare, duke filluar nga data 18.09.2018, deri më datë 18.09.2021.
- Miratimi i shtimit të objektit të aktivitetit të shoqërisë duke shtuar në nenin 4 të Statutit të Shoqërisë paragrafin 4.6 dhe 4.7 parashikimin si vijon:
- Kryerja e të gjitha veprimeve në lidhje me regjistrimin dhe shitjen e domaineve.
- Furnizimi, tregtimi dhe shpërndarja e pajisjeve të telekomunikacionit, të zërit, figurës, të mjeteve transmetuese së të dhënave dhe të kasave fiskale, si edhe të produkteve dhe aksesorëve të komunikimit për dhe në lidhje me shërbimet e telekomunikacionit dhe shërbimet audiovizive. Ofrimi i shërbimeve të asistencës teknike dhe mirëmbajtjes së pajisjeve të telekomunikacionit, të zërit, figurës, të mjeteve transmetuese së të dhënave dhe të kasave fiskale.
- Të ndryshme
Për çdo informacion të mëtejshëm që mund t’Ju nevojitet, Ju lutem të kontaktoni Z. Ervin Shpori, Drejtor i Grupit Ligjor, Rregullator & Konkurrencës dhe Sekretar i Mbledhjes, në adresën: Autostrada Tiranë - Durrës, Km. 7, Kashar, Shqipëri.
Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj.
Tahsin Yilmaz
Administrator