ALBtelecom në Forumin Ekonomik të Tiranës: Digjitalizimi si përgjigje ndaj pandemisë

Sfidat e ditëve të sotme politike dhe ekonomike, në kushtet e pandemisë, u trajtuan ditën e sotme në një nga takimet më të mëdha ekonomike rajonale, Forumi Ekonomik i Tiranës. Pjesëmarrës në këtë forum, zhvilluar në mënyrë dixhitale për shkak të pandemisë ishin përfaqësues politik si kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje & Hercegovinës dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin.

Mes panelistëve të ftuar ishin gjithashtu përfaqësues të kompanive më të mëdha në rajon, të cilat shpalosën investimet e tyre dhe perspektivën ekonomike të vendeve ku operojnë si dhe sfidat në kohët e pandemisë.

ALBtelecom u përfaqësua nga CEO Znj. Bilgen Aldan në këtë forum.

Znj. Aldan nisi prezantimin e saj duke nënvizuar kontributin gati 110 vjeçar të kompanisë në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare, me angazhime të qarta edhe për vitet që do të vijnë. Ajo e vuri theksin tek infrastruktura e ALBtelecom, si një ndër pikat më të forta për të drejtuar ambiciet për digjitalizim të jetës së qytetarëve shqiptar. Konkretisht, ALBtelecom zotëron rrjetin më të madh të fibrave optike me rreth 3,842 km, si dhe 38.000 linja fibre GPON në të gjithë vendin.

Sipas Znj. Aldan, ALBtelecom është ofruesi më i madh i internetit në vend, duke përfshirë 8 pika lidhje kufitare me Italinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, që bëjnë të mundur lidhjen infrastrukturore të rajonit tonë me zemrën e Europës.

Këto kanë bërë të mundur që kjo kompani të jetë edhe punëdhënësi më i madh në Shqipëri, me një politika gjinore fuqizuese, ku gratë përfaqësojnë 60% të stafit.

Në prezantimin e saj, Znj. Aldan theksoi edhe ndikimin e pandemisë në vend. “Gjatë periudhës së pandemisë ne kemi vënë re rritje të konsumit të internetit prej konsumatorëve në rrjetin fiks prej 43% dhe presim që kjo shifër të rritet akoma me tej.”- tha Znj Aldan, e cila vuri në dukje kontributin e ALBtelecom për të përballuar këtë flus në rritje, dhe ruajten e cilësisë së shërbimit.

“Sfidave të pandemisë ne do t’i përgjigjemi me nisma digjitalizuese që do të lehtësojnë jetën e shqiptarëve në të gjithë vendin” – tha ajo, duke nënvijëzuar se zhvillimi dhe inovacioni do të vijë nga talentet e reja të këtij vendi, që ALBtelecom ka mbështetur e do të mbështesë në vitet në vijim si promotorë të zhvillimit.

Përditësuar: 17 Mars 2021