ALBTELECOM SJELL WI-FI FALAS PËR TË GJITHË NË LUMIN E SHALËS

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit, një nga destinacionet më tërheqëse turistike të viteve të fundit të ofron një panoramë të mahnitshme mes malesh të lartë, natyrës së paprekur, ujit të kthjellët blu në të kaltër dhe një relaksi maksimal.

Vendndodhja e tij e izoluar mes malesh ka sjellë gjithmonë vështirësi për të aksesuar internetin dhe për të ndarë në kohë reale përvojën e mrekullueshme dhe shumë të veçantë në ujërat e kthjellta të Alpeve veriore shqiptare.

Por tani jo më, pasi lumit të Shalës, kësaj perle të bukurive të Komanit i shtohet për herë të parë dhe ofrimi falas për të gjithë i Wi-Fi nga ALBtelecom. Kushdo që viziton e pushon në këtë zonë fantastike mund të lidhet falas me Wi-Fi, të komunikojë dhe aksesojë në internet.

Rrjeti Wi-Fi i ALBtelecom ka arritur një shtrirje maksimale këtë verë, duke përfshirë zona turistike bregdetare, malore, historike e për herë të parë deri në zona të izoluara si Lumi i Shalës. Këto zhvillime dhe investime të kompanisë në këto zona janë edhe një vlerë e shtuar e ofertave dhe guidave turistike të operatorëve shqiptarë.

“Wi-fi falas për të gjithë në lumin e Shalës shënon një kulminacion të planit të ALBtelecom” – deklaroi Jonilda Filipi, Drejtore e Çështjeve të Korporatës, “ për të sjellë internet kudo në Shqipëri, në sheshet e qyteteve apo destinacionet më tërheqëse në bregdet, apo mal, si një kontribut për qytetarët, turizmin e digjitalizimin e vendit.”

Ky investim është vazhdimësi e angazhimit të ndërmarrë vitet e fundit, për ofrimin e internetit falas dhe të sigurt, duke nisur me Sheshin “Skënderbej”, Liqenin e Madh të Tiranës, e duke kulmuar me mbulimin e destinacioneve kryesore turistike në të gjithë Shqipërinë.

Rrjeti Wi-Fi i ALBtelecom shtrihet nga Tropoja në Sarandë, me mbulim në të gjithë Shqipërinë me pika aksesi falas në internet për të gjithë, e duke ofruar kështu një standard i ri për të gjithë industrinë e telekomunikacionit në vend.

Përditësuar: 16 Gusht 2021